MAT- Në komunizëm nuk pata fatin të kisha dajat e mi në dasmë, ndërsa në demokraci, pas më shumë se 40 vitesh punë më hodhën në rrugë. Këto janë dy ndëshkimet më të mëdha në jetën time. Por, në kohën e Enverit nuk të linin pa punë. Komunistët e sotëm u marrshin të keqen komunistëve të kohës së diktatorit”. Kështu u shpreh dje Nazmi Brahilika, banues në fshatin Laç, në njësinë administrative Rukaj të Matit.

Ish-punonjësi i OSHEE-së në Burrel pohoi për “Gazeta Shqiptare” se rreth dy muaj më parë, u largua nga puna, ndonëse kishte vite të tëra eksperiencë, nuk kishte marrë asnjë ditë raport dhe se paguan rregullisht energjinë elektrike. “Më 7 gusht të këtij viti më hoqën nga puna pa asnjë shkak. Hoqën dhe dhjetëra kolegë të mi. U trondita, pasi hallet dhe problemet po më ndjekin përgjatë gjithë jetës”, – tha 60-vjeçari. Ndërkohë, ai rrëfeu se fati i keq e ka ndjekur që në kohën e diktaturës dhe vijon ta ndjekë edhe sot e kësaj dite. “Ndonëse vija nga një familje e mirë dhe notat i kisha të shkëlqyera, në moshën 16 vjeç nuk ma dhanë të drejtën e shkollimit, pasi isha nip kulaku. Të afërmit më gjetën punë në atë moshë fare të re, në hidrocentralin e Vaut të Dejës”, – u shpreh babai i pesë fëmijëve.

HISTORIA E ELEKTRICISTIT
Nazmi Brahilika rrëfeu historinë e tij të trishtë: “Sapo mbërrita në hidrocentralin e Vaut të Dejës, më caktuan në turnin e tretë. Më urdhëruan të furnizoja me ujë të pijshëm punëtorët. Me-gjithëse isha fare i ri, punoja me zell, pasi që atëherë e dija çfarë na priste nëse nuk punonim mirë. E ndërsa punoja, nisa shkollën për elektricist”. Pas dy vitesh, ai u transferua në hidrocentralin e Fierzës. “Një herë në gjashtë muaj mund të udhëtoja drejt vendlindjes. Ndihmoja sa mundja babanë, pasi ai vuante për shkak të regjimit. Herë pas here ai më thoshte ta lija punën dhe të kthehesha në fshat, pra të mos vuaja që në moshë të re. Pasi mbarova shkollën për elektricist, nisa punën në këtë zanat”, – tregoi 60-vjeçari.

Ndërkaq, ai rikujtoi një moment nga jeta e tij që i ka ngelur peng. Bëhet fjalë për ditën e dasmës. “U martova pa mbaruar shërbimin ushtarak. Duke qenë se isha nip kulaku, dajat nuk mund të vinin në dasmë. Kjo na detyroi të mos bënim as aheng. Ku të linin zyrtarët e Partisë së Punës të pranoje dajat që ishin shpallur kulakë të ishin në dasmë! Deri në vdekje nuk do ta harroj atë që më ka ndodhur në vitet ’80!” – shtoi Brahilika. Ndërsa, ai kujtoi pa frikë punën e tij si elektricist gjatë shërbimit ushtarak.

“Edhe gjatë shërbimit ushtarak punova si elektricist, kryesisht në elektrifikimin e tuneleve ushtarake në Lezhë dhe Macukull. Kisha frikë se mund të përfundoja në burg. Një gabim i vogël mund të konsiderohej sabotim. Kur kam ndezur çelësin e dritave në tunelet e nëndheshme të Macukullit, jam dridhur i tëri. Fati ishte në anën time. Gjithçka shkoi mirë dhe mora falënderime nga eprorët e mi të asaj kohe”, – tha jo pa emocion 60-vjeçari. Ndërkaq, ai bëri me dije se prej vitit 1981 dhe deri më 7 gusht të këtij viti, ka punuar si elektricist pranë nënstacionit 110 kilovolt të Bruçit në rrethin e Matit.

“Nuk ishte e thënë që t’i gëzohesha punës dhe djersës sime. Në fillim të muajit maj të këtij viti u lajmërova nga OSHEE-ja për zgjidhje të kontratës së punës. Kur mora njoftimin për largim nga puna, menjëherë m’u kujtua martesa ime si mort në kohën e diktaturës. Ndërsa, tani më flakën në rrugë, kur kam dhe 5 vite për të dalë në pension. Komunistët e sotëm u marrshin të keqen komunistëve të kohës së Enverit!” – mallkoi Nazmi Brahilika. Ai sqaroi se asnjëherë nuk është marrë me politikë dhe fushata elektorale dhe se kanë qenë disa banorë të zonës së tij që kanë nxitur drejtuesit e mazhorancës në rreth dhe zyrtarët e OSHEE-së për ta larguar nga puna.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: