Nga Altin Sulejmani

Sa herë që një hoxhë guxon të japë një mendim për korrupsionin, për padrejtësinë, për emigracionin masiv apo për degradimin moral të shoqërisë, del menjëherë një kor i gatshëm: “E ke vendin në xhami!”

Dhe këtu fillon komedia.

Sepse në Shqipëri, sipas kësaj logjike brilante, hoxha duhet të rrijë në xhami, prifti në kishë, mjeku në spital, profesori në auditor dhe gazetari në redaksi.

Vetëm politikani mund të flasë për gjithçka.

Madje jo çdo politikan. Edhe piktori mund të bëhet Kryeministër, por hoxha nuk mund të bëhet qytetar.

Ironike, apo jo?

Kryeministri i Shqipërisë është një artist, piktor dhe profesor arti përpara se të hynte në politikë. Askush nuk i tha ndonjëherë: “Edi, e ke vendin para telajos.” Përkundrazi, u konsiderua pasuri kombëtare që një artist të sillte vizionin e tij në jetën publike.

Ish-Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, është diplomuar fillimisht për Gjuhë Angleze dhe Letërsi Anglo-Amerikane. Askush nuk i tha: “Arben, e ke vendin në klasë duke dhënë anglisht.” Përkundrazi, u konsiderua normalitet që të drejtonte ekonominë e vendit.

Gjatë viteve 2013-2025 kemi parë artistë, aktorë, këngëtarë, sportistë, moderatorë, gazetarë, profesorë dhe figura publike të shprehin hapur qëndrime politike, të marrin pjesë në fushata, të mbështesin parti apo liderë politikë. Dhe me të drejtë. Demokracia nuk ua ndalon.

Kur artisti flet për politikë quhet “aktivizëm”.

Kur moderatori flet për politikë quhet “qytetari”.

Kur këngëtari flet për politikë quhet “ndërgjegjësim”.

Kur sportisti mban qëndrim politik quhet “angazhim publik”.

Por kur hoxha flet për politikë quhet “ndërhyrje”.

Sa e çuditshme kjo demokraci selektive.

Por historia nuk mbaron këtu.

Në vitet e fundit është shfaqur edhe një akuzë tjetër, po aq absurde sa e para.

Mjafton që një hoxhë të shprehë një mendim publik dhe menjëherë dikush e etiketon si “agjent i Iranit”, “anti-perëndimor” apo “rrezik për kombin”.

Është një logjikë interesante.

Kur një artist flet, ai është artist.

Kur një biznesmen flet, ai është biznesmen.

Kur një profesor flet, ai është intelektual.

Por kur një hoxhë flet, ai duhet patjetër të jetë agjent i dikujt.

Sikur qytetaria e tij të mos mjaftonte.

Sikur e drejta për të menduar dhe për t’u shprehur të ishte privilegj që u rezervohet vetëm disa kategorive.

Më e rënda është se prej vitesh është ushqyer me kujdes një ide tjetër: se shqiptarizmi dhe Islami qenkan dy identitete që nuk pajtohen me njëri-tjetrin.

Se sa më shqiptar të jesh, aq më larg duhet të jesh nga Islami.

Dhe sa më mysliman të jesh, aq më pak shqiptar je.

Një nga mashtrimet historike më të mëdha që i është servirur opinionit publik.

Po të ishte e vërtetë kjo teori, Shqipëria nuk do të ishte shpallur kurrë e pavarur.

Shumica dërrmuese e firmëtarëve të Pavarësisë së vitit 1912 ishin myslimanë.

Ismail Qemali.

Hasan Prishtina.

Isa Boletini.

Nexhib Draga.

Myfid Libohova.

E dhjetëra figura të tjera që askush nuk guxon t’i përjashtojë nga historia kombëtare.

A ishin ata më pak shqiptarë sepse ishin myslimanë?

Po Kongresi i Manastirit?

Po lufta për alfabetin latin?

Po kontributi i hoxhallarëve dhe dijetarëve myslimanë që mbështetën arsimin kombëtar dhe përhapjen e gjuhës shqipe?

Vehbi Dibra, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hoxhë Voka dhe shumë figura të tjera fetare nuk e panë kurrë shqiptarinë dhe Islamin si kundërshtare.

Sepse nuk ishin.

Nuk janë as sot.

Në fakt, problemi nuk është se flet hoxha.

Problemi është se disa njerëz vazhdojnë të besojnë se qytetaria e një personi mbaron aty ku fillon profesioni ose misioni i tij.

Por demokracia moderne nuk funksionon kështu.

Martin Luther King ishte pastor.

Desmond Tutu ishte kryepeshkop.

Papa Gjon Pali II ishte figurë fetare.

Po të kishin dëgjuar ekspertët e sotëm të rrjeteve sociale, ndoshta do t’u thoshin edhe atyre:

“Shkoni në kishë dhe mos u merrni me punët e shtetit.”

Fatmirësisht, ata nuk i dëgjuan.

Sepse e kuptuan se kur padrejtësia bëhet sistem, heshtja bëhet bashkëfajësi.

Sot, pas protestave të gjata kundër korrupsionit, kundër shpërdorimit të pronës publike, kundër emigracionit masiv dhe kundër kapjes së shtetit, po shohim diçka të pazakontë: qytetarë të majtë e të djathtë, studentë, profesorë, profesionistë, sipërmarrës, familjarë dhe diasporë të bashkuar në të njëjtin shqetësim.

Dhe nëse mes tyre ndodhet edhe një hoxhë, një prift apo një besimtar i thjeshtë, kjo nuk e bën protestën fetare.

E bën protestën shqiptare.

Prandaj, herën tjetër kur dikush t’i thotë një hoxheje “e ke vendin në xhami”, ndoshta duhet pyetur me qetësi:

Po piktori ku e ka vendin?

Po aktori?

Po këngëtari?

Po sportisti?

Po gazetari?

Po profesori?

Po biznesmeni?

Po firmëtarët myslimanë të Pavarësisë ku e kishin vendin?

Po hoxhallarët patriotë që mbrojtën alfabetin shqip ku e kishin vendin?

Çuditërisht, askujt nuk i kërkohet të heshtë për shkak të profesionit të tij.

Vetëm hoxhës.

Dhe pikërisht aty qëndron problemi.

Jo te hoxha.

Jo te xhamia.

Por te paragjykimi se disa qytetarë kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën publike, ndërsa disa të tjerëve duhet t’u mohohet kjo e drejtë.

Kjo nuk është demokraci liberale.

Kjo është diskriminim i paketuar si modernizëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb