Në një intervistë për “Der Spiegel”, Dr. Anthony Fauci, këshilltar mbi pandeminë i presidentit amerikan Donald Trump, flet mbi zemërimin e kundërshtarëve të tij, marrëdhënien e tij të vështirë me shefin e Shtëpisë së Bardhë, gabimet e bëra nga SHBA-ja gjatë përpjekjes për të frenuar përhapjen e Covid -19, dhe optimizmin e tij të kujdesshëm se një vaksinë do të jetë së shpejti në dispozicion.

Qarkullon një teori konspirative sipas së cilës ju e keni krijuar vetë koronavirusin, dhe se çdo lloj vaksine do të vrasë miliona njerëz. Teksa pandemia ka nxitur kërkime shkencore të jashtëzakonshme, ajo e ka gërryer nga ana tjetër edhe besimin tek shkenca. A është ky një dëm i pariparueshëm?

Dëmi është serioz, por shpresoj të mos jetë i pariparueshëm. Përveç ndarjeve politike, ne kemi edhe mendime ekstremiste, përfshirë teoritë e komplotit, disa prej të cilave janë krejtësisht të çuditshme. Ka një polarizim kaq të fortë, saqë kur unë jap rekomandime se si ne mund ta rihapim vendin në një mënyrë të sigurt, ka disa njerëz që nuk bien dakord dhe nisin të më kërcënojnë. Pra më kërcënojnë fizikisht mua, fëmijët, familjen, gruan time. Kjo është një çmenduri.

A keni ndonjë ide se çfarë epidemie do të godasë planetin tonë në të ardhmen? Pas 10 vitesh do të takohemi sërish, dhe do të shohim nëse keni pasur të drejtë…

E vetmja gjë që është e parashikueshme tek pandemitë, është se ato do të ndodhin. Dhe e vetmja gjë që është plotësisht e paparashikueshme, është sesi do të jetë ajo. Dhe nuk kam për momentin as idenë më të mjegullt mbi këtë gjë. Shpresoj të mos jetë si kjo që po kalojmë tani.

Pra, nëse do të kemi një pandemi tjetër, dhe historia na thotë se do të ndodhë, shpresoj të jetë relativisht jo shumë e rëndë, dhe që mund të mbahet lehtësisht nën kontroll. Por sido që të jetë, nuk do të kalojnë as 10 vjet. Ndoshta do ta shohim njëri-tjetrin shumë më shpejt./ Marrë me shkurtime nga Der Spiegel – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb