TIRANE

Gazetarja Dorjana Bezat zbardh për “BalkanWeb” dinamikën e grabitjes në aeroportin e Rinasit. Mësohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë të paktën 5 persona. Fillimisht ata kanë prerë me gërshëre bulonat e portës ku futet zjarrfikësja në fund të pistës dhe janë afruar me një mjet “Volsvagen” afër avionit që kishte destinacion Vienën.

Më pas janë afruar 3 persona me uniforma të zeza antiplumb e të armatosur kanë neutralizuar punonjësit e bagazheve dhe kanë marrë një pjesë prej thasëve me para, aq sa kanë mundur të mbajnë dhe janë larguar në këmbë në drejtim të automjetit.

Gjatë kohës kur po kryhej grabitja ka qenë një punonjës i zjarrfiksëve që ka vërejtur derën e hapur dhe ka njoftuar kompaninë ICTS që merret me sigurinë e aeroportit.

Në të njejtën kohë është njoftuar dhe komisariati Rinas. Kur autorët janë larguar nga pista është kuptuar grabitja dhe policia është vënë në lëvizje. Në zonë ka qenë një grup FNSH, i cili u vu në ndjekje të grabitësve.

Kur kanë kaluar lumin e Tapizës grabitësit kanë zbritur nga furgoni dhe kanë tentuar ta djegin atë. Në këto momente ka mbërritur FNSH dhe ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre, i vdekur ka mbetur një prej grabitësve i cili ka marrë një plumb në kokë.

Në vendngjarje policia sekuestroi 1 automatik dhe 1 granatë. Të favorizuar nga terreni që ishte kthesë dhe kodër grabitësit janë larguar me një furgon “Benz-vito” pa shkëputur zjarrin ndaj policisë. Mjeti me të cilin u larguan autorët u gjet i djegur afër Bathorës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb