Mbrëmë qyteti i Kavajës është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku dy persona kanë humbur jetën pas një konflikti me armë zjarri.

Kanë qenë shtetasit Edmond Gosa dhe Sali Rexha, të cilët janë takuar për t’u sqaruar në lidhje me një konflikt të mëparshëm, por se duket se diçka e tillë nuk është arritur dhe situata ka përfunduar me të dy protagonistët të vdekur, njëri nga plagët e shkaktuara nga armë e ftohtë e tipit thikë dhe tjetri nga plagët e marra nga arma e tipit pistoletë.

Gazetari Igli Çelmeta ka zbuluar për News24 se dy shtetasit janë konfliktuar para 3 ditësh për motive të dobëta në një lokal të qytetit ku janë konfrontuar edhe fizikisht.

Ai zbuloi se ngjarja ka ndodhur pranë banesës së Rexhës, i cili ka qenë i shoqëruar nga djali i tij i mitur kur ka shkuar të takojë Gosën me qëllimin për të sqaruar konfliktin mes të dyve.

Mësohet se të dy fillimisht janë konfliktuar verbalisht e më pas situata ka degraduar në dhunë fizike për të shkuar deri te përdorimi i armëve të cilat i morën jetën të dyve, ku Gosa e ka qëlluar me thikë Rexhën, i cili është përgjigjur dukë shtënë me armë mbi 3 herë drejt 43-vjeçarit.

Policia ka njoftuar se të dy personat kishin ndryshuar emrin në gjendjen civile.

Njoftimi i policisë:

Kavajë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen në Kavajë, ju informojmë se nga verifikimet e sakta të kryera nga grupi hetimor, pas gjetjes së dokumenteve të identifikimit, shtetasi Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Armand Gosa.  Emrat i kanë ndërruar me gjendje civile.

Nga verifikimet e sakta të kryera nga grupi hetimor, pas gjetjes së dokumenteve të identifikimit, shtetasi Altin Rexha e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Sali Rexha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb