Dita e sotme emisioni “Me Zemër të Hapur” në News24 trajtoi një dramë njerëzore që ka mbërthyer në ankth një familje të tërë nga fshati Kuman i Roskovecit. Prej katër ditësh, qetësia e kësaj shtëpie është thyer nga heshtja vrasëse e zhdukjes së Anxhela Shurdhës.
Një nënë, një bijë, një grua e cila u largua pa lënë gjurmë, duke lënë pas prindërit e mbytur në lot dhe, mbi të gjitha, vajzën e saj vetëm 7-vjeçare, e cila çdo mbrëmje kërkon krahët e së ëmës. Nëna mes lotësh tregoi takimin e fundit si për çdo ditë me të bijën, para se kjo e fundit të shkonte në punë. Ajo tha se nuk kishte parë asgjë të çuditshme te vajza e saj. E moshuara tregoi se ka dyshime te pronari i lokalit ku ajo punonte.
“Vajza qan çdo natë për nënën. Hera e parë që largohet. Ajo nuk ish larguar kurrë. Shkonte në punë, unë merrja vajzën. Atë ditë nuk mori. Kishte veshur pantallona xhins, me vija të kuqe, pantallona. Iku në punë, më puthi si gjithmonë. Është 180 cm e gjatë, me flokë bionde, e dobët. S’kemi pasur asnjë konflikt me vajzën. Më tha se do flinte te një shoqe pas pune se kishte lokali ku punonte një festë ditëlindje. Mendja më thotë mos e kanë droguar. Para disa vitesh ajo pati një ngjarje të rëndë. Burri, që ishte i droguar e mbajti të lidhur dy ditë në pyll. Por arriti të shpëtonte. S’më ka thënë asgjë, s’di asgjë. Se do më kishte thënë se do kishte gjetur dikë.”, pohoi e moshuara.
