Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe ditën e sotme në Kosovë, ku një e moshuar 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesë.

Sipas mediave nga Kosova, dyshohet se krimi është kryer nga bashkëshorti i viktimës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar se bashkëshorti i viktimës është shoqëruar në komisariat dhe po kryhet marrja e tij në pyetje në përpjekje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor. Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”, ka thënë Bytyqi.

Prokuroria Themelore në Prizren deklaratë për vrasjen 

Prokuroria, në komunikatën për media, njofton se, B.D, dyshohet se ka vrarë gruan e tij duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes, përcjell Gazeta Express.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës’’, thuhet në njoftim.

Njoftimi:

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë, më 26 gusht 2026, rreth orës 01:30 min pas mesnatës.

Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb