Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka lobuar në mënyrë të fshehtë për të bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.
Gjatë një deklarate publike, Berisha pretendoi se Rama kishte zhvilluar një takim me një zyrtar britanik në hotel, ku sipas tij i kishte kërkuar që Shqipërisë t’i bllokohej përkohësisht statusi i vendit kandidat. Sipas Berishës, kërkesa kishte qenë që statusi të mos jepej në atë moment, por pas gjashtë muajsh, në mënyrë që të mos dukej se ishte arritur gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
Berisha tha se zyrtari britanik kishte mbetur i habitur nga kërkesa dhe kishte marrë shënime, ndërsa më pas drejtori i tij ia kishte transmetuar informacionin ambasadorit shqiptar, i cili – sipas Berishës – kishte deklaruar se një takim i tillë nuk kishte ndodhur kurrë në përvojën e tij diplomatike. “Shkoi në Londër dhe kërkoi takim me drejtorin e Foreing office për rajonin.
Pala britanike i tha se nuk mund të ndodhë kjo sepse në protokollet tona një kryeministër nuk mund të pritet nga një drejtor në Ministrinë tonë të Jashtme. Jo tha nuk dua. Dhe këto janë të gjitha me dëshmitarë. Si përfundim pala britanik gjen një zgjidhje praktike. Nuk e pret në zyrë, i shkon në hotel Edi Ramës…Kërkesa e tij ishte na e bllokoni statusin e kandidatit dhe na e jepni pas 6 muajsh që të mos duket që po e marrim nga qeveria që ishte. Ai mori shënim i habitur. Drejtori menaxher ia transmetoi ambasadorit tonë, i cili nuk ishte njoftuar për takimin. Ai i tha: ky takim nuk ka ndodhur kurrë në jetën time. Ky sot e shtyu vetëm që të mos dilte se ishte punë e PD. Ne i humbëm zgjedhjet dhe i votuam 3 ligjet. S’na shkoi mendja që t’ia kthenim me këto monedha. Shkon dhe lobon kundër.
E tregova këtë shembull për t’u treguar shqiptarëve se çfarë llumi është ky njeri dhe çfarë meriton. Ai po ëndërron pasaportën europiane me atë të Serbisë, është akt pasi i bëri Kosovës Enver Hoxha. Akt më i lartë i tradhtisë. Sot interesi suprem i shqiptarëve është integrimi në BE. Ai e shkelmon këtë interes vetëm për interesat e tij.”, tha ai.
