Në ditën e 123-të të protestës qytetare kundër qeverisë, protestuesit kanë përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në Tiranë për vizitë zyrtare.

Përmes pankartave të vendosura në protestë, qytetarët i kanë kërkuar drejtueses së Komisionit Europian që gjatë vizitës së saj të dëgjojë edhe zërin e atyre që prej muajsh protestojnë kundër qeverisë.
“Shqipëria e do Europën, Ursula, lëre Europën të dëgjojë edhe Shqipërinë që proteston!”, shkruhet në një prej pankartave.

Protestuesit kanë zgjedhur që në pankarta të vendosin në qendër edhe numrin 123, që simbolizon ditët e protestës së tyre.
“123, e vërteta s’ka nevojë për skenar”, është një tjetër mesazh i shfaqur gjatë protestës.
Ndërsa në një pankartë tjetër shkruhet: “123, e vërteta nuk mund të redaktohet”.
Mesazhet për Von der Leyen vijnë në të njëjtën ditë kur presidentja e Komisionit Europian zhvilloi takim dhe konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri. Gjatë qëndrimit të saj në godinë, jashtë saj vijoi protesta e qytetarëve, nën masa të shtuara sigurie.
