KUKES– Urdhri i Ministrisë së Arsimit për mbylljen e klasave kolektive ka prekur edhe qytetin e Kukësit. Në këtë qytet janë 13 shkolla të tilla me numër të vogël nxënësish dhe me kushte jo të mira. Kjo nismë e qeverisë ka hasur në kundërshti të prindërve në këtë qytet. Ata pretendojnë se shkollat janë larg dhe nuk ka kushte transporti për fëmijët në stinën e dimrit.

“Nuk jam dakord. Pse t’i nxjerrim fëmijt nga fshati duke qenë shkolla këtu. Tre fëmijë kam, i dua këtu fëmijët. Mësuesit këtu janë s’kemi ndonjë ankesë. Transporti sigurohet një muaj. Po dimrit çfarë do të bëjë fëmija im? Të shkojë në këmbë? S’po na hapet rruga e fshatit, jo më të hapet për fëmijët”, thotë një prind.

Ajo që po ndodh sipas drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Kukës, Skënder Ahmetaj, ka të bëjë me përqendrimin e klasave për një mësimdhënie sa më cilësore.

“Ne nuk po mbyllim shkolla por po bëhet përqendrim i shkollave për shkak të rënies së numrit të nxënësve në klasat e ciklit të lartë. Nga klasa e 6 në klasën e 9. Ky numër në shumë shkolla është nga 5 nxënës deri në 12 nxënës, gjë e cila e bën të pamundur zhvillimin e procesit mësimor. Dhe në funksion të kësaj ne mendojmë se kjo do t’i shërbejë rritjes së cilësisë, pasi nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në klasa teke”, tha Ahmetaj.

Në vitin e ri mësimor 33 mijë nxënës që merrnin dije në klasa kolektive tashmë do të transferohen në shkollat më të afërta. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, një ditë më parë shpjegoi në një konferencë për shtyp se tashmë është hartuar një plan për transferimin e tyre, por edhe ofrimin e transportit në rastet kur shkollat janë shumë larg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb