TIRANË

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, përmes një deklarate për mediat tha se Parlamenti sot i hapi rrugë emërimit të një ushtari të Kryeministrit Rama në krye të Ministrisë së Brendshëm, duke iu  referuar Sandër Lleshit.

Sipas Palokës, Sandër Lleshi nuk mund të luftojë dot krimi sepse ai është pjesë e paktit të Ramës, të cilin e ka lidhur me bandat për të blerë zgjedhjet. Gjithashtu Paloka u ndal edhe tek mos-arrestimi i Vangjush Dakos, të cilin e quajti si një veprim që tregon qartë kapitullimin e Prokurorisë.

“Parlamenti i hapi sot rrugën e drejtimit të ministrisë së Brendshme  nga një tjetër ushtar i Ramës. Sandër Lleshaj nuk ka për ta luftuar dot krimin, sepse shefi i tij mbahet nga votat e krimit. Sandër Lleshi është pjesë e paktit me krimin e Edi Ramës  që blen zgjedhjet. Mos arrestimi i Vangjush Dakos hedh në erë alibinë e reformës në drejtësi.”, tha mes tjerash Paloka.

Deklarata e Plote:

Parlamenti i hapi sot rrugën drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga një tjetër ushtar i Edi Ramës, fundi i të cilit do të jetë i njëjtë- shërbëtor i një kryeministri peng të krimit të organizuar.

Sandër Lleshaj nuk ka për ta luftuar dot krimin, sepse pushteti politik i shefit të tij varet nga blerja e votës nëpërmjet bandave dhe krimit të organizuar.

Sandër Lleshaj është produkt i një qeverie ilegjitime, që qëndron në pushtët me të paktën 15 mandate të blera.

Sandër Lleshaj nuk do ta luftojë krimin që ble vota për të, sepse Edi Rama e ka emëruar atje për të mbrojtur nga arrestimi i menjëhershëm Vangjush Dakon, simbolin e blerjes së pushtetit politik të Edi Ramës nëpërmjet krimit të organizuar.

Për këtë krim, i provuar edhe nga përgjimet e dosjes 339, të denoncuar nga opozita, Vangjush Dako duhet të ishte sot në burg!

Përsa kohë Vangjush Dako dhe çdo ministër, deputet, kryebashkiak apo drejtues i Partisë Socialiste, pjesë e dosjes 339, apo e ndonjë dosje tjetër nën hetim për krimin e blerjes së votës, do të jenë jashtë burgut, do të thotë se Sandër Lleshaj është pjesë e paktit të Edi Ramës me krimin që blen votat.

Sandër Lleshaj e ka shumë të thjeshtë të provojë që sot se nuk është një kukull: ai nuk duhet të pengojë arrestimin e Vangjush Dakos.

Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera për tepsinë e Edi Ramës.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë nga dosja 339 nxjerrin në pah marrëdhënien e ngushtë të Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve, trafikantë ndërkombëtarë droge nga Amerika latine në Europë, të cilët i ka përdorur në fushatë për të blerë zgjedhjet. Përgjimet faktojnë gatishmërinë dhe garancinë e Vangjush Dakos për t’i mbaruar punë bandës.

Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda.

Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi.

Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb