ULQIN- Rreth 45 shtëpi botuese kanë prezantuar titujt e rinj dhe botimet e tyre më të mira, në edicionin e 18 të Panairit të Librit, të mbajtur në Ulqin. Në shëtitoren e Plazhit të Vogël, që në ditën e parë të panairit, u bënë bashkë botuesit, lexuesit dhe pushuesit, në eventin që i jep dritë këtij qyteti që prej vitit 2001.

Për organizatoren e këtij panairi, botuesen Irena Toçi, ky panair vazhdon të jetë rajonal, që mbledh botues nga Kosova, Mali i Zi, e Maqedonia.

“Është pikërisht periudha më e frekuentuar, ku qyteti gati 100-fishohet me banorë. Është e pamundur të mos ketë risi, sepse të gjithë botuesit janë gjatë gjithë vitit në garë për të sjellë libra të rinj. Kështu që çdo vit kur vijmë në Panairin e Librit në Ulqin, në sjellim produktet tona të reja të një viti, që nuk janë të pakta. Ju e shikoni që këtu ka shumë pushues. Të gjithë botuesit që marrin pjesë në këtë panair, janë nga botuesit më të njohur të rajonit, janë botues që nuk i janë ndarë kurrë këtij aktiviteti, dhe që vijnë me një dëshirë dhe pasion gjithmonë konstant dhe frekuentojnë si panairin, ashtu edhe qytetin e Ulqinit, ku duhet thënë, ne kombinojmë shumë mirë pushimin me punën”, u shpreh Irena Toçi, botuese dhe organizatore e panairit.

Në çeljen e Panairit të 18-të të librit, morën pjesë edhe ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandër Bogdanoviç, kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Ndrekiç, si edhe kreu i Shoqatës së Intelektualëve të Ulqinit, Ismet Kallaba.

Nën moton “Udhëto dhe lexo, 7 ditë në Ulqin me Librin pranë detit”, ky edicion i Panairi të Librit do të jetë i hapur deri me 8 gusht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb