NGA FATMIRA NIKOLLI*

Kur i mbledh të hollat me vështirësi dhe ia heq ushqimit të fëmijëve për të blerë një libër, për të parë një shfaqje a një film, ku të përçmojnë se je shqiptar, ku të nëpërkëmbin se nuk i përket një niveli të caktuar shoqëror, për shkak të punës së rëndomtë. Të jetosh do të thotë të mos thyhesh e të ndjekësh ëndrrën tënde, të mos ulësh kokën e të vësh në vend dinjitetin. Të bëhesh i barabartë e bile t’ua kalosh atyre që të kanë fyer”. Një mësim për jetën nga Edmond Budina!

Regjisori është kthyer në Shqipëri për të lajmëruar përfundimin e xhirimeve të filmit “Të thyer”, që i kushtohet Shqipërisë së ditëve tona, me kaos, korrupsion, mosmirënjohje, mjedis të ndotur, qytete betoni, fshatra të rrënuara, teatro me kaseta, e jo vetëm. Në filmin “Të thyer” interpretojnë aktorët Nikolla Llambro, Laert Vasili, Ola Harizaj, Artan Islami, Sotiraq Bratko, Syrja Meçe, Ylli Trajçe, Rachele Laro, Ansa Rochi, Zamira Kita dhe Gerti Ferra. Mes tyre duhej të ishte edhe aktori Marko Bitraku, por ndarja nga jeta e tij bëri që rolin e tij ta merrte Nikolla Llambro. Filmi është një bashkëprodhim mes Qendrës Kinematografike, Maqedonisë dhe Italisë. Më poshtë intervista e Budinës.

– Pas filmave “Letrat e Erës” dhe “Ballkan Bazar”, vini me një tjetër film. Çfarë ju ka shtyrë të shkruani “Të thyer”, një film ku merreni me ndotjen, korrupsionin? A ka pasur një ngjarje konkrete?
E them qysh në fillim, që nuk ka asnjë ngjarje konkrete e cila mund të jetë bërë shkak për të shkruar skenarin e “Të thyer”. Për ta shkruar, pa dyshim që kam marrë shkas nga realiteti i sotëm shqiptar, i cili është i tejmbushur me fakte e ngjarje, nga më dramatiket deri te më komiket. Mosmirënjohja është një fenomen njerëzor, që është i pranishëm jo vetëm në Shqipëri, por këtu është mbase më i dukshëm për mua, pasi i njoh më mirë njerëzit e faktet. Çdonjëri prej nesh ka provuar një moment mosmirënjohjeje prej dikujt, që dikur i ka bërë një të mirë e më pas është shpërblyer me të kundërtën. Për sa i përket korrupsionit, ai është kaq i dukshëm, sa nuk ia vlen as të pyesësh se ku e ke gjetur.

Llogaritë janë nga më të thjeshtat! Mjafton të hedhësh një sy në pasuritë e disave për të kuptuar se burimet e tyre janë të pandershme. Nëse dikush është në zotërim të disa vilave, makinave, orëve të shtrenjta etj., mjafton të pyesësh: “Zotëri, sa e kini rrogën mujore?”, e nëse ajo nuk përputhet me pasurinë e tij, kuptohet që është i korruptuar. Ndotja e mjedisit pastaj, sipas meje, është nga krimet më të mëdha që është bërë në këta njëzet e pesë vjet. Betonizimi i gati të gjitha qyteteve shqiptare, pa pasur një plan urbanistik, dhe sidomos zaptimi i tokave e ndërtimet vend e pa vend na kanë kthyer në një xhungël prej së cilës është tashmë e pamundur të dalësh. Të mos flasim pastaj për prerjen e pyjeve, gërryerjen e lumenjve, hedhjen e mbeturinave ku të mundim. Për mendimin tim, veç të tjerash, kemi të bëjmë me një mungesë të theksuar të sensit të qytetarisë. Është e kotë të mburremi me identitetin, autoktoninë, trashëgiminë, kur ato i përdhosim me veprimet e padenja që kryejmë çdo çast.

– Ju trajtoni mosmirënjohjen, shkërmoqjen e familjes dhe mandej ngjitjen e njerëzve në politikë. A mendoni se do prekni ndokënd? A është pas personazheve ndonjë emër real?
Pas personazheve të mi, sikundër e thashë, nuk ka asnjë emër real ose ngjarje reale që mund të jetë si pikë referimi ose frymëzimi. Janë copëza jetësh e ngjarjesh që i gjen përditë në realitetin shqiptar. Nuk di nëse dikush do të gjente veten te këta personazhe, sepse të gjithë ata që bëjnë bëma të këqija, besoj se nuk e mendojnë që po veprojnë keq, përkundrazi janë, sipas mendjes se tyre, me të drejtën. Këtu në Shqipëri është krijuar një lloj mentaliteti, që edhe nëse i ke bërë lekët me drogë ose me punë të pista thonë “Hallall ia bëftë Zoti”. Për mua ky është shqetësimi më i madh, njësimi me të keqen dhe quajtjen e saj një normalitet. Edhe nëse dikush e gjen veten te ndonjë prej personazheve “negative”, me siguri mendon, që ai nuk jam unë, për të mos thënë që njerëz të tillë as marrin mundimin të shohin një vepër kinematografike e aq më pak të thellohen në analiza të këtij lloji.

– Ia vishni një pjesë të fajit kapitalizmit; në fakt, e ka sistemi apo njerëzit janë të tillë, qenie që priren të jenë egoistë? Kujtojmë këtu edhe kohën e komunizmit, ku shpesh spiunimi bëhej për arsye egoiste…
Egoizmi njerëzor ka, qoftë anë negative, qoftë pozitive. Kur ai të shtyn të ecësh përpara, është pozitiv, dhe kur të tërheq vetëm pas dëshirës për të vënë veten në qendër e nuk mendon veçse për t’u pasuruar, pavarësisht se si, është tepër negativ. Nuk është thjesht e keqja e kapitalizmit, por ai të shtyn drejt atij egoizmi negativ, që prej frikës për të mbijetuar bëhesh i pangopur. Kapitalizmi nuk është sistemi perfekt, por është mbase e keqja e domosdoshme, sepse socializmi, sipas meje, nuk u realizua asnjëherë në formën e tij më të mirë. Mbeti dhe do të mbetet përherë një utopi. Do të thosha që, një shoqëri është e qytetëruar kur mendon për qeniet më të dobëta dhe i ndihmon të bëjnë një jetë dinjitoze. E drejta e ushqimit, strehimit, shëndetësisë, arsimimit, punës, duhet të jetë për të gjithë.

Spiunimi në kohën e komunizmit nuk bëhej thjesht për arsye egoiste, sepse shpesh ishe edhe i detyruar, i shtrënguar prej rrethanave ekzistenciale, në ingranazhet e së cilës hyje e nuk dilje dot. Pa dyshim, kishte karaktere të forta që nuk e pranonin dhe e vuanin mosbindjen, por shumica bënin kompromisin edhe për të mbijetuar. Çdo sistem ka anët e tij pozitive e negative. Shoqëria njerëzore ende nuk e ka gjetur sistemin perfekt që do t’i bënte njerëzit të jetonin në harmoni me njëri-tjetrin e për rrjedhojë edhe me mjedisin.

– Me shpërbërjen e bërthamës së shoqërisë, familjes, ku po shkon shoqëria?
E keqja e kësaj shoqërie është pikërisht shpërbërja e familjes, vlerave morale që ajo ka pasur. Këtu nuk e kam fjalën thjesht për familjen shqiptare, por familjen në përgjithësi në çdo vend. Teknologjia, me gjithë të mirat që ka sjellë, edhe ka dëmtuar. Kështu, në familje flitet sa më pak, komunikohet sa më pak e gjithsecili merret me celularin e vet, jeton në një botë virtuale, me miq virtualë.

– Keni xhiruar në Itali, Durrës, Tiranë, Korçë dhe në Manastir, Maqedoni. Pse ka një shtrirje kaq të gjerë gjeografike?
Së pari, ngjarja e filmit është e tillë ku personazhi vjen prej Italisë në Durrës, Tiranë, pastaj shkon në fshat, në Korçë. Një shtrirje e tillë është bërë për të përshkruar edhe vizualisht Shqipërinë e ditëve tona, kontrastet e forta që ekzistojnë mes qyteteve të betonizuara, natyrës, dhe fshatit të braktisur e të rrënuar, ku rrënimi pamor është i njëjtë edhe me rrënimin shpirtëror. Për arsye produktive kemi pasur detyrimin të xhirojmë në Maqedoni, duke qenë se ajo është bashkëprodhuese e filmit, përveç faktit që ambienti që gjeta atje i shkonte shumë për shtat imazhit që unë kisha në kokë. Doja t’i bëja një radiografi vendit, qoftë edhe nga pikëpamja pamore, dhe besoj që ia kemi arritur.

– Ju jeni ndër ata artistë që jetoni në Itali. Keni thënë se në Itali keni punuar për njëzet vjet punëtor në fabrikë dhe se e dini se ç’do të thotë të jetosh dhe ç’do të thotë të vuash. Çfarë janë për ju jeta dhe vuajtja?
Vuajtja është shumëformëshe, por kur largohesh prej vendit tënd, vuajtja është shpirtërore, fizike, kur bën një punë që nuk e ke bërë kurrë më parë. Kur them që e di se çfarë do të thotë të vuash, kam parasysh edhe vuajtjen reale, kur nuk ke punë dhe duhet të paguash qiranë, kur mbase nuk e di se si do të jetë e ardhmja e nëse do të kesh qoftë edhe për të ngrënë, në një shoqëri që është e huaj për ty e ku askush nuk të fal asgjë. Kur i mbledh të hollat me vështirësi dhe ia heq ushqimit të fëmijëve për të blerë një libër, për të parë një shfaqje a një film, ku të përçmojnë se je shqiptar, ku të nëpërkëmbin se nuk i përket një niveli të caktuar shoqëror, për shkak të punës së rëndomtë. Të jetosh do të thotë të mos thyhesh e të ndjekësh ëndrrën tënde, të mos ulësh kokën e të vësh në vend dinjitetin. Të bëhesh i barabartë e bile t’ua kalosh atyre që të kanë fyer, të shohësh se si rriten fëmijët e tu me sakrifica e të përpiqesh të mos u mungojë asgjë.

– Ky është një film që u nis të bëhej pa lekë, pra ju me stafin ratë dakord ta xhironit pa pagesa. Mandej u pa e pamundur. A mendoni se tashmë asgjë nuk bëhet pa para se të gjitha kushtojnë, qoftë edhe miqësitë? A jemi kthyer në qenie që funksionojmë kundrejt pagesës?
Fillimisht ideja ime ishte që filmin ta realizonim pa lekë, dhe për këtë mora aprovimin si të aktorëve, ashtu edhe të drejtorit të fotografisë. Problemi nuk qe tek ata, por tek unë, përgjegjësia ime personale. Njerëzit mund të vijnë të punojnë pa shpërblim, mund të sakrifikojnë, por nuk është e drejtë t’u kërkosh edhe të paguajnë prej xhepit të tyre ushqimin, hotelin etj. Ishte kjo arsyeja që nuk xhirova. Pa dyshim që sot gjithçka kushton dhe është shumë më vështirë të realizosh film, por njerëzit e filmit janë përherë të devotshëm e të gatshëm të punojnë edhe për pasion. Me gjithë buxhetet e vogla, e për rrjedhojë edhe pagesat, ata vazhdojnë të realizojnë filma. Për sa i përket faktit që shoqëria e sotme është e ndërvarur prej parasë, kjo është një e vërtetë e padiskutueshme, që ka të bëjë me vetë ekzistencën. Jetojmë në një shoqëri konsumi, ku çdo gjë kushton.

– Ju mungojnë teatri i dikurshëm dhe filmat me logon e Kinostudios “Shqipëria e Re”?
Më mungon teatri cilësor, profesional, ai që realizohej qoftë edhe nën trysninë e ideologjisë dhe diktaturës, por nëpërmjet të cilit përcilleshin ide. Teatër që nuk bëhej duke parë kaseta, por qe origjinal e një spektakël mund të bënte treqind shfaqje. Teatër ku ndërthureshin brezat dhe eksperienca kalohej natyrshëm. Më mungon logoja e Kinostudios, që u shpërbë për t’ua falur privatëve, prej së cilës u vodh gjithë ajo pasuri materiale. Më mungon, pasuria e madhe njerëzore e specialiteteve të Kinostudios, që prodhonte deri në katërmbëdhjetë filma në vit, për të mos folur për dokumentarët, kinokronikat, filmat vizatimorë etj. Më mungon gjithçka që ishte në funksion të artit e tashmë nuk është.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: