Përshkallëzimi i përplasjeve policore ndaj protestuesve ka prekur sot drejtpërdrejt edhe objektet më të rëndësishme të kultit në kryeqytet. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka dalë me një reagim zyrtar e urgjent pasi pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u bënë publike.
Pasi pa skenat e përplasjeve, përdorimit të forcës dhe trazirave brenda perimetrit fetar, Kisha shprehu shqetësimin e saj të thellë dhe bëri thirrje prerazi për ruajtjen e pacenueshmërisë së vendeve të shenjta.
Reagimi zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë:
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.”
