Deputeti i PD, Dashnor Sula, ka sqaruar për emisionin “Në Shënjestër” se ku i bazon pretendimet se ndaj 31-vjeçarit Ilvi Meta, që vrau veten në Komisariatin e Kavajës është ushtruar dhunë policore.

Ai tha se i ka ardhur një telefonatë ku konfirmohej kjo gjë dhe shtoi se konfirmime ka marrë edhe nga 2-3 persona të tjerë, të cilët nuk preferoi t’i bënte të ditur emrat. Sula bëri thirrje që institucionet shtetërore të hetojnë rastin dhe të zbardhin të gjithë të vërtetën.

“Unë nuk mund të tregoj burimin, por duke qenë në detyrën e deputetit pata një telefonatë nga një person brenda policisë. Ngjarja i ka mbetur në dorë policisë. Kjo ngjalli irritim. Detyra jonë si politikan dhe opozitë është të vendosim alarmin dhe të dalë e vërteta ashtu sic është. Segmente të caktuara kanë dashur të mbulojnë ngjarje të tilla, siç është rasti i Klodian Rashës. Nuk ka asgjë më shumë. Nuk ka akuza të drejtpërdrejta për persona të caktuar. Është e rëndësishme të hetohet, të dalë e vërteta. Kjo është e rëndësishme. Kam pyetur edhe dy tre burime të tjera dhe japin indicie që është ushtruar dhunë ndaj viktimës. Mund të mos ketë ardhur vdekja nga ushtrimi i dhunës. Rastet që kanë ndodhur apo dinamikat e ngjarjes duhet të hetohen në detaje. Apeli është për të gjithë punonjësit e shtetit. Të hetohet me ndershmëri, pastërti dhe drejtësi. Të njëjtin apel kam edhe për Prokurorinë e Kavajës. Të dalë e vërteta ashtu siç është Nëse autopsia nxjerr që është ushtruar dhunë të gjithë personat që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Sula.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: