EGJIPT– Qeveria egjiptiane ka njoftuar planet për të ndërtuar një qytet të ri në lindje të kryeqytetit të Kajros.

Ministri i Strehimit, Mostafa Madbouly gjatë një konference për investimet tha se projekti do të kushtojë rreth 45 miliard dollarë dhe do të zgjasë 5-7 vite deri në përfundim të ndërtimit.

Sipas ministrit Mostafa Madbouly, ndërtimi i qytetit të ri ka për qëllim lehtësimin e mbipopullimit të kryeqytetit gjatë 40 viteve të ardhshme. Aktualisht popullsia e Kajros është rreth 18 milionë banorë, ndërsa pritet të dyfishohet në 40 vitet e ardhshme.

Në qytetin e ri do të transferohet parlamenti egjiptian, ministritë, si dhe ambasadat e huaja. Ai do të përfshijë ndërtimin e rreth 2 mijë shkollave, 600 objekte të kujdesit shëndetësor si dhe banesa për rreth 5 milion banorë.

Ende nuk është bërë i ditur emri i qytetit të ri, por ai do të ndërtohet në një sipërfaqe rreth 700 km katrorë. Projekti pritet të krijojë rreth 1 milion vende pune.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: