Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, dha opinionin e tij para takimit në Europa League ndaj Lillestrom.

“Lillestrøm e nisi më mirë deri në gjysmën e pjesës së parë, por më pas ne e balancuam lojën. Bazuar në atë që zhvilluam në fushë dhe rastet e krijuara, mendoj se duhej ta kishim fituar atë takim.”

Sa i përket përballjes së nesërme, tekniku parashikon një nisje agresive nga vendasit, por beson se Egnatia do të dijë të përballojë presionin dhe të kërkojë fitoren: “Besoj se Lillestrøm do ta nisë fort duke shfrytëzuar faktorin fushë. Megjithatë, pas minutës së 30-të loja do të balancohet dhe çdo gjë do të jetë e barabartë. Ne kemi mbështetjen e tifozëve tanë, çka do të na ndihmojë shumë për të realizuar objektivin. Kemi ardhur këtu për të fituar dhe besojmë fort te kjo.”

Në fund, Dede komentoi edhe gjendjen e fushës në stadiumin e Lillestrøm-it: “Ne jemi një vend mesdhetar, me shumë diell, ndaj klima jonë nuk të lejon të kesh një bar kaq të mirë sa këtu. Nuk pretendoj të krahasohemi me fushat apo stadiumet e Norvegjisë, por gjithsesi edhe fusha jonë në Rrogozhinë është në gjendje shumë të mirë.”

I pyetur se cili do të jetë çelësi i suksesit për Egnatian në këtë përballje, Dede u përgjigj shkurt dhe qartë: “Entuziazmi dhe energjia që do të marrim nga tifozët tanë.”

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb