Gandy Eisenkot, kreu i partisë Yasser, po shqyrton një lëvizje politike që mund të ndryshojë ekuilibrat në Izrael dhe t’i japë fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut. Sipas mediave izraelite “Haaretz” dhe “Ynet”, Eisenkot po planifikon t’i paraqesë Knessetit një qeveri të re, madje edhe në formën e një qeverie minoritare, duke siguruar mbështetjen ose abstenimin e partive arabe.

Sipas raportimeve, iniciativa mund të paraqitet edhe një javë përpara datës 6 dhjetor, kur përfundon mandati që presidenti izraelit Isaac Herzog i ka dhënë Eisenkotit për formimin e qeverisë.

Një lëvizje e tillë do t’i mundësonte kreut të Yasser të tentonte marrjen e pushtetit përpara përfundimit të afatit, ndonëse mbetet e paqartë nëse ai do të arrijë të sigurojë votat e nevojshme në parlament. Herzog ka mundësinë të zgjasë mandatin edhe me dy javë, përpara se t’ia besojë detyrën një politikani tjetër ose të shpallë zgjedhje të reja.

Eisenkot mori mandatin më 8 nëntor, pasi siguroi mbështetjen e partive sioniste aleate dhe të dy forcave politike arabe, Raam dhe Listës së Përbashkët.

Në zgjedhjet e 27 tetorit, koalicioni i drejtuar prej tij siguroi 48 nga 120 vendet në Knesset, ndërsa partitë arabe morën gjithsej 19 mandate. Nga ana tjetër, koalicioni qeverisës i Netanyahut mbeti me 53 vende, duke humbur shumicën parlamentare.

Pavarësisht premtimeve për largimin e Netanyahut nga pushteti, Eisenkot po zhvillon negociata edhe me Likudin dhe po përpiqet të afrohet me partitë ultraortodokse hebraike, të cilat tradicionalisht kanë mbështetur kryeministrin aktual.

Një nga pengesat kryesore në këto negociata mbetet qëndrimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Koalicioni i Eisenkotit ka premtuar heqjen e përjashtimit nga ushtria për hebrenjtë ultraortodoksë, një çështje veçanërisht e ndjeshme në politikën izraelite.

Nëse negociatat dështojnë, Eisenkot mund të tentojë formimin e një qeverie minoritare, e cila do të mbështetej në votat pro ose abstenimin e partive arabe. Sipas “Haaretz”, partia e tij, me 21 mandate, synon të sigurojë mbështetjen e Demokratëve, që kanë tetë vende, dhe të Raam, gjithashtu me tetë mandate.

Ndërkohë, Lista e Përbashkët, e cila ka 11 vende në parlament, mund të zgjedhë të abstenojë në votim, duke lehtësuar kështu miratimin e qeverisë së re.

Megjithatë, kjo mundësi po shkakton përçarje brenda vetë kampit politik të Eisenkotit. Avigdor Lieberman, kreu i Yisrael Beitenu, me shtatë mandate, ka deklaruar se do të votojë kundër çdo qeverie që varet nga mbështetja e partive arabe.

Në vend të kësaj, Lieberman propozon një marrëveshje me dy partitë ultraortodokse, United Torah Judaism dhe Shas, të cilat kanë së bashku 13 mandate. Një bashkëpunim i tillë do t’i siguronte koalicionit të Eisenkotit 61 votat e nevojshme për shumicën absolute në Knesset.

Por edhe kjo alternativë përballet me vështirësi. Përfaqësuesi i United Torah Judaism, Yaakov Asher, raportohet se nuk është i gatshëm të nisë negociata zyrtare, ndërsa Shas ka këmbëngulur se do të qëndrojë në krah të Netanyahut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb