Ministrja e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj ndërsa foli për aktin normativ të buxhetit të vitit 2022, u shpreh se qeveria ka menaxhuar në mënyrën më të mirë goditjen nga tërmeti dhe më pas edhe pandeminë.

Ajo hodhi poshtë kritikat e kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili theksoi se nuk ka pasur transparencë nga ana e qeverisë dhe se ekonomia është e dështuar.

Po ashtu ajo theksoi se është parashikuar dhënia e shpërblimit për pensionet dhe të gjithë ata që kanë nevojë për kujdes.

“Unë përfaqësoj një brez që ka lindur rreth viteve 80. Ne kemi njohur ’97, kemi njohur protesta të dhunshme, fyerja ndaj individëve. Me keqardhje më të madhe ju kërkoj dinjitet në këtë parlament, që të frymëzojë të rinjtë. Sa i përket aktit normativ u thanë disa gënjeshtra. Qeveria shqiptare e përballoi krizën pas tërmetit . Kjo qeveri u gjend pranë atyre që u tronditën nga tërmeti. Fillimisht u siguroi strehë për të ndërtuar më pas banesat. Më pas u prekëm nga pandemia dhe qeveria në kohë rekord ndërmori akte për t’i ardhur në ndihmë të gjithë familjeve. Ju thoni se ekonomia është e dështuar, por shifrat nuk tregojnë këtë. Masat tona dhanë efekt. Tani rritja parashikohet 7.8% por edhe më lartë. Kemi parashikuar shtesë në masën 1.4 miliard lekë për mirëmbajtjen e rrugëve. Kemi parashikuar shtesë për 3.8 milionë lekë për qiratë e rindërtimit. Janë parashikuar 4.4 miliardë lekë për projektet për ujësjellësit. Kemi ankoruar 500 milionë lekë fonde për të shlyer detyrimet e prapambetura nga ish-komunat. Po ashtu dua të them se ndryshimet e miratuara nuk e prekën deficitin buxhetor”, ka thënë më tej Ibrahimaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb