Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Informacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme është përdorur nga Enver Hoxha edhe për të vënë Mehmet Shehun kundër Feçorr Shehut. Feçorr Shehu, pas ngjarjes së Mehmet Shehut, në një bisedë intime me Agron Çobanin, në shkurt 1982, të zhvilluar gjatë shëtitjes në bregdet, para Shtëpisë së Pushimit të Oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i ka deklaruar: “Në shtator 1981 më thirri Enver Hoxha në zyrën e tij. Vajta menjëherë. Enveri më kërkoi një informacion të hollësishëm për familjen Turdiu. Unë i thashë se duhet kohë për të verifikuar dhe sqaruar të dhënat që disponohen në dosjet e agjenturës. Ai më pyeti se sa ditë të nevojiten. – Unë i thashë një javë. – Mirë, ke një javë në dispozicion. Pas një jave, më 10 shtator 1981, e mora Enverin në telefon dhe i çova dorazi zarfin me informacionin. i thashë se e kisha realizuar detyrën për informacionin e plotë për familjen Turdiu. Enveri më tha lëre mbi tavolinë.

Ai nuk u interesua dhe nuk e hapi zarfin. Enveri mori në telefon Mehmet Shehun dhe i tha: – Mehmet! Feçorri më solli një informacion për familjen Turdiu. E kam këtu në tavolinë. Dërgo sekretarin që ta marrë, këtu në zyrën time. Po i jap porosi Haxhiut që t‘i japi në dorë. Menjëherë uli receptorin e telefonit. – Feçorr! Tani mund të shkosh…”

Shpejt do të merrte formë edhe drama te Shehajt dhe Turdijtë pas vizitës së familjes së udhëheqësit kryesor. Në ditët e para të gëzimit të fejesës do të vinte papritur edhe vendimi për prishjen e saj, pas dënimit të rreptë të kësaj lidhjeje që bëri personalisht Enver Hoxha. Skënderi shpjegon se: “Tri apo katër ditë pas fejesës sonë skuadra e ‚Dinamos‘, ku ishte dhe Silva si pjesëtare e saj, do të shkonte në Greqi për të zhvilluar një ndeshje. Bashkë me to u nisa dhe unë me Gani Kodrën. Unë kisha rrugën për Suedi, ku vijoja studimet, por me Ganiun planifikuam që të shkonim në Greqi, të shikonim ndeshjen e prej aty në Suedi. Në Greqi qëndruam dy apo tri ditë. Por në momentet që vendosëm të niseshim për në Suedi, më erdhi lajmi nga familja që të kthehesha me gjithë Silvën me shumë urgjencë në Tiranë. Ky lloj lajmi i dhënë në këtë mënyrë më bëri disi të shqetësuar. Brenda në qenien time ndjeva diçka jo të mirë”.

“Kur mbërrita në Tiranë, Silva shkoi në shtëpinë e saj dhe unë në shtëpinë time, pra te prindërit. Më priti në derë mamaja, në sytë e së cilës shfaqej shumë dukshëm një mërzi tepër e thellë. E pyeta se ‚çfarë kishte ndodhur?‘. Mamaja më tha të bisedoja me babanë. E takova babanë, i cili gjithashtu ishte tejet i mërzitur. Nuk vonoi shumë pas takimit që bëra me të dhe me keqardhje tepër të dhimbshme më tha se ‚kemi bërë gabim për fejesën dhe se ajo duhet të prishet‘. Më tregoi se e kishte thirrur Enveri dhe i kishte thënë se është bërë një fejesë me njerëz të deklasuar, duke zbutur kështu luftën e klasave, gjë që ishte prekur shumë rëndë vija e partisë e të tjera.»

Reagimi për këtë vendim të dhimbshëm që ndikoi në prishjen e fejesës dhe më vonë në tragjedinë familjare do të kishte argumentimin dhe motivin politik. Ndarja duhej të pranohej si një gabim dhe të korrigjohej pa u shkaktuar dhimbje dhe tronditje shpirtërore apo shëndetësore. Nuk përmendeshin pasojat që do të kishte familja e Turdijve.

“Kur më foli babai për atë vendim, që ishte tejet i vështirë për situatën time psikologjike, unë i thashë se pyeta për këtë vajzë dhe ju më dhatë pëlqimin. “Po, – më tha babai, – por u nxitova.‘ Unë sigurisht u mërzita shumë dhe i thashë se “nuk kthehem më në Suedi. Nuk ndihem mirë nga ana morale dhe psikologjike. Pas kësaj dite dhe në vazhdim babai më mbante shumë afër, ku më këshillonte. Ai kishte frikë se mos më ndodhte mua ndonjë gjë. Ai kishte shumë debulesë për mua, duke e ditur se isha dhe i sëmurë. Babai më tha gjithashtu se i kishte thënë Enveri që, “djali të qetësohet, u bë një gabim dhe u korrigjua, të kthehet në Suedi për studime“.

Bashkim Shehu tregon më shumë: “Babai më vuri para faktit të kryer, duke thënë se për prishjen e fejesës ishin të një mendjeje edhe ai, edhe Enver Hoxha, edhe krejt udhëheqja e Partisë. Më tha se edhe Vladimiri ashtu si ai mendonte. As mua s’ma mbajti që t’i kundërshtoja, por duke e sjellë muhabetin lakadredhas, kinse i jepja të drejtë se fejesa nuk duhej bërë, pastaj duke shtuar se përderisa udhëheqja e Partisë mendonte se kjo fejesë duhej prishur, unë s’mund të isha më i mençur, domethënë udhëheqja i dinte më mirë këto punë dhe sigurisht që kishte të drejtë. E vetmja përpjekje që bëra më në fund për të ndihmuar tim vëlla, Skënderin, ishte njëfarë mendimi, i thënë ashtu me gjysmë zëri se megjithëse fejesa qenkësh bërë krejtësisht e gabuar e politikisht e papranueshme, ndoshta prishja e saj do të ishte një gabim i dytë, sepse ndoshta kjo mund t’ia ulte prestigjin në popull Mehmet Shehut, sepse ndoshta kushedi në popull do pëshpëritej paskëtaj se i biri i tij u tall me një vajzë ashtu siç talleshin njëherë e një kohë me fshatarkat të bijtë e bejlerëve. Por as kjo nuk i hyri në vesh babait. Përkundrazi, – më tha ai, – po të prishet fejesa, atëherë prestigji do të vihet në vend. Populli zaten thotë se po ta dinte shoku Mehmet ç’biografi ka vajza, nuk do ta kishte lejuar djalin të fejohej me të ose, po ta mësonte tani, patjetër ka për ta prishur fejesën. Ishin fjalët e Enver Hoxhës që përsëriteshin nëpërmjet gojës së tij, sikundër do të ndodhte gjithherë dhe më shpesh gjatë vjeshtës së tij të fundit dhe gjer në ditën e tij të fundit.

Skënderi mbërriti ndaj të ngrysur bashkë me Silvën. Për t’i pritur doli te dera vetëm Fiqireti, që i futi në dhomën më të afërt. Ndenjën pak, aq sa për të thënë se ndenjën, pastaj gjeti mënyrën për ta përcjellë Silvën shpejt e shpejt. Skënderi u ngjit pastaj te Mehmeti në studion e katit të sipërm. Qëndruan aty me orë të tëra. Fiqretja herë hynte, herë dilte, ndërsa Mehmeti i fliste e i fliste Skënderit, pothuaj pa ndërprerje. Dhe kështu gjer nga mesnata, kur Mehmeti na thirri ne dy bijtë e tjerë. Edhe ai, edhe Skënderi, dukeshin të lodhur e të vrerosur, por ndërsa Skënderi ishte disi i përhumbur dhe i shembur krejt, lodhja e Mehmetit kishte trajtën e një padurimi.

– Kjo duhet bërë, duhet të vendosësh.

– Të mendohem një herë, – ia ktheu Skënderi, i rrënuar, gjithsesi i pafuqishëm në këtë kundërshtim të tij, që vetëm sa e shtynte atë që pashmangshëm kishte për të ndodhur.

– Vetëm një orë m’u desh mua të vendosja, – tha Mehmeti, – mbasi bisedova me shokun Enver. Vetëm një orë! Skënderi përtypej hutueshëm – Hë, t’i telefonoj shokut Enver? – thoshte herë pas here Mehmeti, – a ta njoftoj që e vendose?

– Po në qoftë se shkëputemi, – tha më në fund Skënderi, – në qoftë se i marr unë mbi vete të gjitha pasojat dhe jetoj me Silvën të shkëputur prej jush? Mehmeti u befasua, u mpi, po veç për një grimë të shkurtër.

– Atëherë…atëherë s’je më djali im! Ky do të ishte mallkimi i babait, mallkimi i epërm, të cilin e kisha dëgjuar të më kanosej qysh në vogëli, duke e përjetuar dhe në moshë të rritur po njëlloj si dikur. Skënderi në atë çast ishte fëmija fajtor dhe i pambrojtur

– Nuk është zgjidhje kjo, – vazhdoi Mehmeti, – nuk i ha populli këto. Nuk i ha populli këto, ia kishte prerë Enver Hoxha Mehmet Shehut atë paradite, kur ky, teksa jepte e merrte në përpjekjet e fundit përpëlitëse për të mos e prishur fejesën, i kishte thënë diçka të ngjashme me atë që dëgjonte tani prej Skënderit, veçse jo të humbte vetë djalin, po që vajza të shkëputej përgjithmonë nga prindërit dhe të afërmit e tjerë të saj…

– Hë, si do të bëjmë? Shoku Enver po pret që t’i telefonoj. Skënderi diçka mërmëriti…

– Po i telefonoj, – tha Mehmeti, – dhe ashtu bëri. Në anën tjetër të linjës ishte Enver Hoxha…”

Publikimet në medie janë bërë pas ndryshimit të sistemit politik: “Fejesa me Skënder Shehun ka zgjatur vetëm pak javë,” ka dëshmuar para hetuesve në procesin e Kadri Hazbiut Silva Turdiu, 20-vjeçare. Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në fillim të shtatorit 1981. Në datën 5 ajo ishte nisur në Greqi me ekipin e të rejave. Për ta shoqëruar ka shkuar edhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha. Më pas ai do të vazhdonte rrugën për në Suedi ku ishte duke kryer studimet. Para nisjes i ka takuar te Pallati i Sportit “Partizani” ish-ministri i Brendshëm Feçorr Shehu dhe i ka uruar për fejesën. Dy ditë më parë një gjë të tillë ka bërë edhe Enveri me të shoqen në shtëpinë e Kryeministrit. Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy.

Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë Skënderi kishte thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte ca gjëra serioze vetëm për vetëm. Ashtu ishte bërë. Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, truprojës së Kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta. Skënderi kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa problem të koklavitura në biografinë e familjes së saj. Silva kishte reaguar duke thënë se ‘ju i dinit ato gjëra më parë.” Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës. Djali i xhaxhait të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”. Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që fejesa të prishej.

Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist mund të përjashtohej nga partia. “Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”, dëshmonte Silva. Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri. Një makinë u ka thënë rrugës se i priste Fiqiretja te Shkolla e Partisë. Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe vetëm Qazim Turdiu kishte shkuar në takim.

Kur ishte kthyer në shtëpi, Qazimi kishte thënë se Fiqiretja kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën “ata nuk e dinin më parë”. Që këtej fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar, jo vetëm për ish-volejbollisten, por edhe për djalin e ish-Kryeministrit. Momenti kur Silva u vu në dijeni të vendimit për prishjen e fejesës: Familja Shehu nuk merr përgjegjësinë që të sqarojë vetë dhe direkt ndryshimin e qëndrimit të saj. Duke u distancuar nga vendimi i mëparshëm, porositet djali që të bisedojë në shtëpinë e shoqëruesit, jo në shtëpinë e tij dhe jo në praninë e prindërve dhe të pjesëtarëve të familjes së tij. “Për prishjen e fejesës biseduam me babanë që Silva të shkonte në shtëpinë e Ali Çenos dhe atje t‘ia thosha unë për prishjen e fejesës. Po. Kështu u veprua. Pasi ajo erdhi tek Ali Çenua, unë i komunikova vendimin familjar. Pas kësaj Silva u mërzit shumë dhe qau. Ajo më tha se nuk më kishte mbajtur gjë të fshehtë. Më tha se m‘i kishte thënë të gjitha dhe duke më paralajmëruar, ndërkohë që unë i kisha thënë se nuk kishte gjë, se babi është dakord etj.”

Me anë të këtij qëndrimi, që mund të cilësohet jo shumë dinjitoz për familjen kryeministrore, dolën në pah nënshtrimi dhe bindja ndaj udhëheqësit për të ruajtur, po të ishte e mundur, pozitat ekzistuese, megjithëse shqetësimet e krijuara dhe bindjet te Mehmeti dhe Fiqireti ishin të qarta për pasojat nga e çara e krijuar dhe marrëdhëniet e prishura përfundimisht midis Enverit dhe Mehmetit dhe familjeve të tyre. Skënderi dhe Silva kërkohej që të vazhdonin jetën e tyre të mëparshme dhe të mendonin për të krijuar të ardhme të ndryshme për jetën e tyre.

Largimi i Skënderit për në Suedi: “Pas kësaj unë u nisa për në Suedi mjaft i mërzitur. Si përherë ika në shoqërinë e Gani Kodrës. Pas ikjes babai u bë shumë merak për mua. Çdo ditë më merrte në telefon. Më dërgoi dhe letra. Në një letër të gjatë më shkruante se për fejesën gabimi ishte bërë nga vetë ai, se ishte shpejtuar në dhënien e pëlqimit. Gjithashtu, pas asaj letre, ai më jepte këshilla të vazhdueshme për ta kaluar këtë shqetësim“.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb