Nga TEDI BLUSHI
I shpallur prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, Klement Balili ende nuk është arrestuar nga autoritetet shqiptare, ndonëse ndaj tij është dhënë edhe masa e arrestit me burg në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Për shkak të paaftësisë së Policisë shqiptare, për të arrestuar “Eskobarin e Ballkanit”, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar një letër zyrtare Presidentit të Republikës, Bujar Nishani ku i kërkon që për këtë çështje të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“BalkanWeb” ka siguruar ekzkluzivisht letrën që Meta i ka dërguar Nishanit ku ndër të tjera i parashtron kërkesën “Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla”, – shkruan Meta.
Referuar letrës së siguruar ekzkluzivisht nga “BalkanWeb” kreu i Kuvendit shprehet gjithashtu se: “Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impact në sigurinë kombëtare”, – shkruan Meta.
Ky është rasti i parë kur zyrtari më i lartë i shtetit shqiptar, reagon zyrtarisht për këtë çështje dhe shpreh në mënyrë institucionale shqetësimin e tij për faktin e mosarrestimit të një personazhi kryesor të botës së krimit, sikundër është Klement Balili. Gjithashtu kjo është hera e parë kur kryetari i Kuvendit, Ilir Meta apelon domosdoshmërinë e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Vlen të theksohet se kjo kërkesë e tij vjen fill pas vizitës dhe takimeve zyrtare që ai zhvilloi në SHBA me disa nga figurat kryesore të administratës së re amerikane të Presidentit, Donald Trump, në ceremoninë e inaugurimit të të cilit ishte i ftuar zyrtarisht. “BalkanWeb” boton ekzkluzivisht letrën e plotë që Meta i ka dërguar Nishanit.


Teksti i letrës që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani

I nderuar z.President
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve kushtetuese, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më lejoni që t’Ju parashtroj kërkesën si vijon:

Ashtu siç edhe mund të jeni bërë me dije, nga media e shkruar dhe elektronike apo burime të tjera informacioni, Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedural apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar për t’iu nënshtruar drejtësisë.

Partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Për shkak të seriozitetit që paraqet çështja në fjalë dhe shqetësimit që ekziston për mosveprimin e institucioneve shqiptare, paraqes kërkesën:

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

 

Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impact në sigurinë kombëtare.

Me besim të plotë në marrjen në konsideratë të kësaj kërkese, Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Me respekt ILIR META

 

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb