Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Shpjegimet e Silva Turdiut:

E para dhe e vetmja dëshmi e ish-së fejuarës së djalit të Mehmet Shehut për lidhjen me Skënderin është ajo e kumtuar në procesin e bujshëm të Kadri Hazbiut. Rrëfimi i ish-volejbollistes së njohur të klubit “Dinamo” përballë hetuesve ka qenë diçka e veçantë dhe interesante njëherazi. E thirrur në seancën e 27 dhjetorit 1982 për të penalizuar ish-ministrin e Brendshëm, sportistja e divorcuar tashmë me të birin e kryeministrit të vetëvrarë ka shpjeguar me sinqeritet e vërtetësi historinë e njohjes dhe rrethanat që kushtëzuan prishjen e fejesës me Skënder Shehun.

Fillimisht ka qenë djali i kryeministrit që ka shprehur interes për t’u njohur me vajzën e profesorit të matematikës, duke e ndaluar në rrugë një pasdite dhjetori të vitit ’80. Por ajo ka hezituar të bisedojë duke i thënë se nuk e njihte. Disa përpjekje të tjera pas kësaj të djalit të ish-kryeministrit kanë rezultuar pa sukses. Megjithatë, aventura e Shehut ka vazhduar më tej.

“Në fillim të shkurtit ’81, – pohon ish-‘dinamovitja’, – Skënderi erdhi më takoi në Shverin të Gjermanisë Lindore, ku kishim një ndeshje volejbolli me ekipin ‘Traktori’. Më tha se vinte aty nga Suedia ku ishte me studime për të parë ndeshjen”. Që këtej, sipas dëshmitares, takimet e tyre janë bërë më të shpeshta. Në korrik 1981 Skënderi shkonte gati çdo ditë në shtëpinë e pushimit të MPB-së në Durrës, ku stërvitej ekipi i saj. Në një nga takimet e radhës i shprehu edhe idenë e fejesës.

Më 31 gusht 1981 familja Turdiu ka rënë dakord dhe Qazimi, i ati i Silvës, ka pritur në shtëpi Skënder Shehun. Qazimi, duke u shfaqur hezitues për fejesën, i ka përmendur kleçkat në biografinë e familjes dhe e ka porositur t’ua bëjë të qartë edhe prindërve. i biri i kryeministrit, duke pohuar dijeninë e tyre për çka flitej, e ka ftuar profesor Turdiun për një vizitë në familjen e tij. Fill pas këtij takimi Silva ka vizituar për herë të parë shtëpinë e të fejuarit dhe ka biseduar nga afër me Mehmetin dhe Fiqiretin. Deri këtu, dëshmon e ish-e fejuara e Skënder Shehut, gjërat kanë shkuar mirë, por kreshendoja e lidhjeve të ngushta do të ndërpritej befasisht në shtatorin e vitit 1981.

Biseda për fejesën e zhvilluar në familjen Shehu.

Skënder Shehu shpjegon se: “Në korrik të vitit 1981, kur ishim në plazhin e Durrësit, unë i thashë Fiqiretit për këtë vajzë. i thashë se ishte Silva, e bija e Qazim Turdiut, profesor në universitet. Pas kësaj mësova se mamaja e njihte të shoqen e Qazim Turdiut, Turkeshën. Ato kishin qenë së bashku në shkollën femërore në Tiranë para Çlirimit të vendit. Mamaja gjithashtu e njihte shumë mirë si e afërta e Arshi Pipës, që ishte i arratisur. Megjithatë mamaja më tha që të pyesja babanë për këtë vajzë. Unë i thashë babait, Mehmetit, i cili u gëzua shumë që unë vendosa që të fejohesha. Ai u mendua, por nuk donte që të ma prishte, duke e ditur sëmundjen time dhe refuzimin e mëparshëm për t‘u fejuar. Mehmeti më tha që do të pyeste njëherë Feçorr Shehun, dhe pastaj do të më jepte përgjigje. Dhe kështu veproi.”

Qemal Lame
Qemal Lame

Mehmeti dihet se kishte pasur pakënaqësi nga një lidhje e Skënderit me një vajzë nga Lushnja. Në këto kushte, ai dhe Fiqireti e vlerësuan më të përshtatshme rastin e vajzës së Qazimit dhe reaguan pozitivisht. Interesimi i kryeministrit për sqarimin e të dhënave biografike të Turdijve “Të nesërmen në mëngjes Mehmeti e thirri Feçorrin për këtë problem. Ai, si mori informacionin dhe porosinë nga im atë, i tha se do të pyeste dhe do t‘i kthente informacion shumë shpejt. Pasdite ministri i Brendshëm Feçorr Shehu i raportoi dhe i dha dorazi babait informacionin që kishte kërkuar për Silva Turdiun. Feçorri i tha babait se Qazim Turdiu kishte dy vëllezër jashtë shtetit dhe e shoqja e Qazimit kishte të arratisur një të afërt të saj të quajtur Arshi Pipa, i cili më përpara kishte aktivitet të zgjeruar kundër vendit tonë, por tani nuk ka aktivitet. i ati i Silvës është njeri i nderuar, pedagog në Universitetin e Tiranës, i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Çmimin e Republikës. Babai e pyeti Feçorrin se si të bënte në lidhje me fejesën time dhe ai i kishte dhënë mendimin që të pyeste Partinë. Ndërsa vetë Feçorri do të pyeste atë po të gjendej në një situatë të tillë. Pas kësaj, babai e mori vendimin vetë dhe më tha se ishte dakord për t‘u fejuar me Silva Turdiun. Biseduam së bashku dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes sonë.”

Për kohën se kur do të bëhej fejesa, Skënderi ka deklaruar se: “U la që shpalljen e fejesës ta bënim më 1 shtator, kur të hynim në shtëpinë e re, që po bëhej apo zgjerohej shtëpia e vjetër. Kështu u bë.” Skënderi ka saktësuar më vonë, në vitin 2013, se në rast se babai nuk do ta pranonte fejesën, ai nuk do të ishte fejuar. Vendimi i babait do të ishte i padiskutueshëm dhe do të respektohej në mënyrë të ndërgjegjshme prej tij.

Në një emision televiziv ai është pyetur nga gazetari: “Ju ia keni thënë vetë babait për fejesën me Silvën dhe keni treguar se nëse ai nuk do t‘ju lejonte të fejoheshit, ju nuk do të fejoheshit. A mund të na e tregoni këtë moment? Domosdo që s‘do fejohesha nëse do të më thoshte jo. Fillimisht i kam thënë mamasë. i tregova se kush ishte. Ajo e dinte, sepse i njihte si familje. Më tha: Obobo, por pyet babanë. Thuaji vetë babait. Vajta te Mehmeti dhe më pyeti: Hë, ke ndonjë lajm të mirë? Po, – i thashë, – por nuk e di kam lajm të mirë apo të keq. Po pse? Sepse ishte ajo përbërja, që në atë kohë ishte problematike, por i shpjegova. Mirë, – më tha babai, – ne mund të shohim rrethin e ngushtë. Fiqireti ngulte këmbë: Shko thuaji Enverit, por nuk është ashtu siç thotë Enveri në mbledhje: pse nuk pyete asnjë nga shokët. Nuk është e vërtetë. Ai shkoi te stabilimenti dhe takoi Ramiz Alinë. E pyeti nëse e njihte dhe i tha fjalë të mira.”

Mehmet Shehu ka pyetur Ramiz Alinë dhe ky i ka thënë fjalë të mira për familjen e vajzës me të cilën mendohej të bëhej fejesa e djalit të tij. Këtë fakt Ramizi nuk e ka përmendur asnjëherë. Deklarimi i Skënder Shehut se Mehmet Shehu ka pyetur Ramiz Alinë bëhet dhe dokumentohet për herë të parë publikisht. Nga të dhënat e administruara në dosjen hetimore dhe gjyqësore të grupit komplotist, ky fakt nuk është evidentuar në asnjë dokument të pyetjes nga Fiqireti, Skënderi dhe Bashkimi. Nuk përjashtohet mundësia që edhe për këtë detaj ata do të kenë dhënë shpjegime në hetuesi.

Por në bazë të Platformës së Punës Operative dhe në zbatim të tyre edhe të rregullave që ishin në atë kohë për organet e hetuesisë, e cila ishte organizuar dhe vepronte në vartësi të ministrit të Punëve të Brendshme, ndalohej marrja dhe evidentimi në dokumentet hetimore apo agjenturore i të dhënave, dyshimeve apo implikimeve në veprimtari keqbërëse ose kriminale, kur përmendeshin emra të anëtarëve të Byrosë Politike. Me këtë shpjegim Skënderi hedh dritë mbi qëndrimin e Ramiz Alisë.

Në asnjë rast Ramizi nuk ka folur dhe nuk e ka përmendur faktin që Mehmeti i ka marrë më parë mendim për fejesën e djalit. Pra, ai e ka fshehur këtë fakt. Edhe Enver Hoxha nuk e përmend një fakt të tillë të ndonjë bisede të bërë më parë midis Mehmetit dhe Ramizit. Në rast se do të pranohej ky fakt nga Ramizi në Byronë Politike, atëherë edhe qëndrimi i tij dhe i anëtarëve të tjerë në Byronë Politike nuk kishte arsye të ishte aq i rreptë. Fakti që sjell Skënder Shehu hedh dritë në kuptimin më mirë të acarimit të qëllimshëm të situatës së vërtetë dhe ashpërsimit të qëllimshëm të presioneve politike dhe psikologjike ndaj Mehmet Shehut, për ta detyruar atë të bëjë autokritikë.

Sipas metodës së njohur të Enver Hoxhës, thellimi në autokritikë do të thoshte që vetë ai ka pranuar fajësinë. Unë nuk kam pasur si qëllim ta dënoj aq rëndë. Ai ndëshkoi vetveten. Në bazë të kësaj logjike, kuptohet se imponohej qëllimi: “Prano vetë të japësh shpjegime ashtu siç i dua unë. Ke vepruar në kundërshtim me vijën e partisë për luftën e klasave. Prano të fajësosh vetveten edhe pa faj. Prano të dënohesh rëndë. Prano dënimin kapital. Zyrtarisht edhe në opinionin shoqëror do të mësohej se viktima kishte pranuar vetë fajësinë dhe dënimin e rëndë. Udhëheqësi respektonte qëndrimin dhe vendimin e viktimës. Në rrethin e ngushtë dhe në opinionin e gjerë shoqëror udhëheqësi do të vlerësohej për arsyen e treguar dhe durimin në vlerësimin njerëzor të gjendjes dhe të qëndrimit ndaj personit që kishte gabuar apo kryer faj të rëndë, deri edhe tradhtinë si komplotist e puçist. Kjo metodë e djallëzuar u kërkua të bëhej edhe platformë e punës së organeve të drejtësisë. Marrja e dëshmisë me shkrim e thënieve të të pandehurit, bërë me dorën e tij, sidomos për krimet kundër shtetit, përbënte misionin më të rëndësishëm të hetimit dhe bazën e argumentimit të vendimit nga gjykata.

Kjo metodë zbatohej rëndom në veprimtarinë politike. Ajo ishte tipike sidomos për organet e Sigurimit të Shtetit e të drejtësisë që do të vinin në zbatim skenarin e parapërgatitur duke plotësuar automatikisht procedurën ligjore formale për hetimin, gjykimin, dënimin dhe likuidimin e kundërshtarëve politikë. Me këtë metodë të paligjshme është vepruar, me të gjitha mjetet, deri edhe të presionit psikologjik dhe të dhunës fizike ndaj të pandehurve për t‘u marrë thëniet e tyre, duke i shkruar ata me dorën e tyre, edhe kur nuk pranonin. Pohimi i fajësisë nuk është provë në rast se nuk vërtetohet me prova të tjera.

Në teorinë e procesit penal dhe në doktrinën e provave është normuar se: “Pohimi i të pandehurit nuk është mbretëreshë e provave”. Kjo metodë e kamufluar tregon dhe argumenton faktikisht nxitjen e situatave, ekzagjerimin e problemeve dhe shpejtimin e eliminimit të armiqve dhe tradhtarëve të dënuar si komplotistë apo në grupet armiqësore të propaganduara me forcë në kohën e luftës së klasave. Këtij qëllimi, të fshehur në kërkesën për të bërë autokritikë, do t’i nënshtrohej edhe vetë Mehmet Shehu.

Por, duke njohur mirë metodën e Enverit, nga përvoja personale si ministër i Punëve të Brendshme, si dhe si një nga personat që vetë Enveri e kishte mbajtur më afër për të realizuar më me siguri qëllimet dhe synimet e tij, Mehmeti nuk mund të tregohej naiv dhe të shpejtonte procedurën e dënimit të tij me vetë thëniet e tij. Mehmeti bëri autokritikë, por jo ashtu siç e dëshironte dhe ishte mësuar Enveri.

Ngjarjet e rëndësishme dhe situatat e ndërlikuara me të cilat ndeshet njeriu në jetë kërkojnë vlerësime objektive dhe marrjen e masave të menduara mirë për të përballuar problemet e dala dhe për të dhënë zgjidhje efektive. Ka persona që me vizionin e qartë dhe aftësitë që disponojnë vendosin me përgjegjësi, kryejnë veprime që lënë gjurmë, ndihmojnë të tjerët, krijojnë kushte më të mira, hapin perspektiva pozitive. Ata mbajnë përgjegjësi për vendimet e marra dhe janë të ndërgjegjshëm për pasojat e rënda që mund të vijnë. Me këto tipare pozitive të karakterit tipizohej përgjithësisht edhe Mehmeti, si burrë shteti që vendoste dhe këmbëngulte pa u tërhequr nga vështirësitë dhe tregonte se ndihej edhe përgjegjës për të metat, dobësitë apo gabimet, ose për përgjegjësitë e fajeve konkrete në realizimin e detyrave dhe qëllimeve të tij në shërbim të interesave të përgjithshëm të partisë dhe të shtetit.

Ka edhe nga ata persona që hezitojnë, nuk shprehin mendimin e tyre përfundimtar, presin se si do mendojnë, reagojnë dhe vendosin të tjerët, ia lënë zgjidhjen e problemeve rastësisë, shohin se si do të vendosë shumica dhe pastaj të bashkohen me mendimin e tyre për të mos qenë të vetëm dhe të mos bien nën presionin e të tjerëve apo të përballojnë të vetëm pasojat e rënda. Ramizi dallohej pikërisht për tipare të kësaj natyre. Manovronte në çdo rast për të mënjanuar çdo mundësi që mund të krijonte situata që do të hapnin probleme dhe nuk dëshironte të vendoste i pari dhe të bëhej objekti kryesor apo shembulli për mënyrën e zgjidhjes, e cila kishte edhe përgjegjësinë e madhe, sidomos për të si një nga udhëheqësit kryesorë.

Duket se këto veti i krijuan atij edhe përparësi dhe u vlerësuan duke u bërë vendimtare në gjykimin për të fituar dhe marrë përfundimisht besimin si pasardhës i udhëheqësit. Duke analizuar këto kritere në këtë rast, është e nevojshme që të vlerësohet situata dhe rregullat që respektoheshin në atë kohë. Mehmeti pyeste për qëndrimin e familjes Turdiu që si ai vetë dhe Ramizi e njihnin përgjithësisht. Po të dy kishin të qarta kriteret e rrepta dhe kërkesat e vendosura nga vetë udhëheqja për vlerësimin e qëndrimit biografik të familjeve në rastet e lidhjeve martesore për të mënjanuar problemet që mund të lindnin sidomos për familjet me qëndrime politike pro ideologjisë komuniste.

Aq më tepër këto kërkesa ishin detyrimisht të domosdoshme për familjet e anëtarëve të udhëheqjes dhe gjithë komunistët në tërësi. Për këto arsye duhet kuptuar edhe fakti se të dy këta persona të udhëheqjes i kishin të qarta kriteret politike që kërkoheshin dhe secili duhet të mbante përgjegjësi për vendimet që merrte. Ramizi në këtë rast ka dhënë mendimin e tij, duke thënë një realitet të njohur. Ai nuk hyn në hollësi të tjera, pa dashur që të zgjatet dhe të ndikojë te Mehmeti, ose të lërë shkak që Mehmeti të thoshte më vonë, në situata të tjera, në rast se do të krijoheshin probleme, se kam marrë edhe mendimin e Ramizit.

Ramizi, si një nga udhëheqësit kryesorë, nuk mund të lehtësohet nga përgjegjësia e tij edhe për këtë fejesë problematike. Në këtë drejtim ndikon edhe fakti se Enveri e kishte afruar edhe më shumë dhe kishte vendosur që ta bënte pasardhësin e tij, duke larguar Mehmetin. Në këtë këndvështrim të arsyetimeve, qëndrimet janë jo shumë të sinqerta, për të mos thënë intrigante dhe nxitëse për gabime që do të kishin pasoja të rënda për të ardhmen. Njohja dhe fejesa janë realizuar në traditën e shoqërisë së ideologjizuar dhe nën kontrollin e plotë të partisë-shtet.

Në opinionin publik thuhej se Skënderi ishte njohur me Silvën, pasi e kishte parë, kishte dëgjuar mendime, ishte interesuar për sjelljet e saj si vajzë me emër. Ai kishte vajtur për të parë edhe ndeshjet e volejbollit kur ajo luante me skuadrën e ‚Dinamos‘. Dashuri me ndjenja të pastra, por pa kaluar fazën e natyrshme të njohjes së mëparshme dhe pa u krijuar e forcuar besimi reciprok për të ardhmen e përbashkët. Mënyra se si ai vuri në dijeni familjen e tij u vlerësua edhe si një lajm i gëzueshëm familjar dhe një ngjarje e shumëpritur. Në të njëjtën kohë, lajmi i dashurisë së re shkaktoi edhe shqetësimin e madh të vlerësimit politik të familjes së vajzës që do të bëhej nusja e re në familjen e kryeministrit dhe do të hynte në përbërjen e elitës së Bllokut.

Në atë kohë i jepej rëndësi parësore qëndrimit politik të familjes së të dashuruarve. Lidhja zyrtare e fejesave dhe e martesave merrte anën e saj primare politike, aq sa dashuria shihej edhe si prirje e orientimeve ideologjike e politike që ndikonin në ndjenjën e dashurisë së të rinjve dhe përballjes me qëndrimet zyrtare dhe opinionin e gjerë shoqëror. Për elitën më të lartë politike dhe veçanërisht për pjesëtarët e familjeve që përfaqësonin udhëheqjen politike dhe shtetërore, biografia e nuses apo dhëndrit mbetej parimi themelor që kërkohej e vlerësohej si e domosdoshme për t’u sqaruar mirë paraprakisht.

Biografia dhe qëndrimi politik ishin një tregues i domosdoshëm përcaktues i përbërjes dhe grupimit shoqëror dhe si një garanci për vazhdimësinë e trashëgimit të pushtetit politik. Zyrtarisht dënohej monarkia, por me format e maskuara të demokracisë komuniste kryheshin të gjitha ritualet për të ruajtur dhe trashëguar në forma të tjera pushtetin politik. Nga të dhënat që përhapeshin nga pjesëtarë të rrethit familjar dhe të afërm të familjes Shehu, të publikuara më vonë, thuhej se Mehmet Shehu kishte biseduar shpesh me djalin e tij për t‘u fejuar, pasi po shkonte rreth të tridhjetave. Kur i biri e vuri në dijeni se ishte njohur me një vajzë dhe mendonin që të fejoheshin së bashku, Mehmeti ishte gëzuar dhe menjëherë e kishte pyetur se me cilën ke vendosur të fejohesh?

Skënderi i kishte treguar për Silvën dhe familjen e saj Turdiu. i kishte dhënë edhe një letër biografike të shkruar nga babai i vajzës. Mehmeti ka qenë në dijeni të biografisë së kësaj familjeje tiranase me zë për vetë detyrat që kishte pasur më parë si zëvendësministër, ministër i Punëve të Brendshme dhe kryeministër. Ballafaqimi me këtë dëshirë të djalit e ka vënë atë para faktit të pranimit të lidhjes së krijuar, por edhe të përgjegjësisë së rëndë politike, pasi ishte efektivisht personi më i rëndësishëm pas udhëheqësit.

Papritur janë ndeshur dy botëkuptime dhe përgjegjësia për të vendosur me guxim për pasojat që duheshin përballuar. Mehmeti do të vendoste me kurajë për të ndryshuar rregullat e hekurta që ishin imponuar dhe kthyer në parime të moralit komunist në shtetin e diktaturës së proletariatit. Demonstrimi i pavarësisë së mendimeve në marrjen e vendimit të fejesës dhe tejkalimi i normave shoqërore e politike do të shkaktonin surprizën për mendimin e ri politik dhe shoqëror për të ardhmen. Me këtë vendim të marrë me vetëdije dhe duke përballuar shqetësimin e madh për ndryshimin, ai ishte po ashtu i ndërgjegjshëm se do të ndeshej me opinionin, qëndrimin e rreptë konservator dhe reagimin e fuqishëm që do të shkaktonte në radhë të parë tek udhëheqësi kryesor dhe pastaj te personalitetet e larta politike e shtetërore dhe në popull në tërësi. Fejesa pa u respektuar me përpikëri kriteri politik do të ishte momenti më delikat në jetën familjare dhe karrierën e tij politike si një nga personalitetet më të fuqishme, por që do të shënonte konkretisht edhe alternativën për mbijetesën apo fundin, siç do të dëshmonin ngjarjet tragjike.

Mehmeti i tmerrshëm do të bëhej babai i arsyeshëm që dëgjon ndërgjegjen dhe reflekton në gjykime. Papritur ai tregonte dobësinë e ndjenjave të fshehura thellë në ndërgjegjen e tij dhe do të plotësonte dëshirën e djalit, duke qenë i bindur edhe për pasojat e rënda politike dhe rrezikun e karrierës personale që do të shkaktonte vendimi i tij. Faktikisht, Mehmeti është orientuar përfundimisht dhe do të merrte një vendim me idealin e normave të reja morale e politike të së ardhmes. Nuk ka vendosur menjëherë dhe nuk është ngutur që të japë në çast mendimin e tij. i menduar, ai ka shprehur kryesisht shqetësimin e tij të menjëhershëm: “Ku ke vajtur dhe je ngatërruar”.

Me të njëjtin shqetësim ishte shprehur disa orë më parë edhe e ëma e tij, Fiqireti: “Bobo, me cilët qenke ngatërruar!” Mehmeti është vënë para faktit dhe dilemës që atij i doli papritur se do të kishte ndikimin fatal për jetën dhe të ardhmen e pushtetit dhe të familjes së tij në tërësi. Për herë të parë në jetën e tij ai nuk informoi menjëherë sipas rregullit, nuk i mori fillimisht mendimin Enver Hoxhës, para se të vendoste dhe të deklaronte qëndrimin e tij. Të nesërmen në mëngjes Mehmeti i ka kërkuar ministrit të Punëve të Brendshme, Feçorr Shehut, të dhëna më të detajuara dhe aktuale për familjen Turdiu dhe sjelljet e vajzës.

Pasdite ministri Feçorr Shehu i ka dërguar informacionin me të dhënat biografike. Ato ishin pothuajse të njëjta me të dhënat e shkruara edhe nga vetë Qazim Turdiu. Biografia e Turdijve u mitizua dhe u përdor nga udhëheqësi për të realizuar qëllimin e eliminimit të kryeministrit. Biografia e familjes Turdiu është shkruar me sinqeritet e saktësi. Në përmbajtjen e kësaj biografie gjenden informata të plota të ideve, pikëpamjeve dhe qëndrimeve politike dhe qytetare të së kaluarës dhe të aktualitetit në kohë të pjesëtarëve dhe të afërmve të tyre. Biografia e kësaj familjeje njihej përgjithësisht edhe në opinionin shoqëror tiranas, pasi ajo ishte një familje me kontribut në Tiranë. Qazim Turdiu meritonte vlerësimet dhe nderimet si intelektual, tiranas i ndershëm dhe i përkushtuar në profesionin e pedagogut duke dhënë kontribut në arsimin shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb