Rusia tashmë që nga mëngjesi i djeshëm ka pushtuar Ukrainën. Forcat ruse, të cilat janë në numër mjaftë të madh, nisën pushtimin e Ukrainës ku tashmë kanë mbërritur deri në kryqytetin e këtij shteti Kiev.

Pas hyrjes së forcave ruse në Ukrainë po zhvillohet një luftë e ashpër. Aty po sulmohet me armë nga më të ndryshmet nga të dyja ushtritë. Forcat ukrainase duke e mbrojtur tokën e tyre, ndërsa ushtria ruse po synon pushtimin e mëtutjeshëm me në krye Vladimir Putinin.

Siç raportohet synimi i Rusisë nuk është vetëm Ukraina, por edhe vendet e Ballkanit, ku përfshihet disa shtet e ndër to edhe Kosova. Për këtë çështje, prof. dr. Enver Bytyçi thotë se, revanshi i Rusisë tashmë është në dritë të diellit.

Ai shprehet se më shumë se të pushtosh dhe aneksosh një pjesë të territorit të vendit fqinjë, nuk mund të bëjë një agresor! Dhe kemi të bëjmë me një agresor të sofistikuar në armatim, i cili kërcënon Europën dhe botën me shfarosje përmes përdorimit të armëve bërthamore e kimike.

“Kjo situatë jo vetëm ndikon, por e kërcënon rajonin tonë ballkanik, ashtu si dhe vendet baltike, Moldavinë e madje edhe Sllovakinë, Rumaninë e Bullgarinë. Nuk po shkojmë për të llogaritur ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Polonisë dhe Hungarisë e Çekisë. Rusia është bërë tashmë jo kërcënim, por shkelës i hapur i së drejtës ndërkombëtare. Prandaj dhe presidentja Osmani ka shumë të drejtë kur elaboron në veprimtaritë e saj ndërkombëtare rrezikun rus për rajonin e Ballkanit Perendimor”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, rajoni perendimor i Ballkanit është më i kërcënuar sesa rajoni lindor i tij, pavarësisht se në linjë ajrore ndodhet më larg.

“Kjo për shkak të konflikteve etnike ende të pabyllura. Tri janë objektivat ruse në këtë rajon, shpërbërja e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës përmes shërbëtorit të tij, Milorad Dodik. Eshtë Kosova dhe Mali i Zi. Në fund vjen edhe Maqedonia e Veriut. Moska, por edhe Beogradi, nxisin Dodik që ta shkëpusë Republikën Srpska nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Kjo do të zhbënte shtetin shumëkombësh në fjalë. Me këtë akt Putin synon që të ndërtojë një bazë ushtarake në atë rripin e ngushtë të Adriatikut që Daytoni ia dha Republikës Srpska. Më pas Moska dëshiron dhe punon që Malin e Zi ta rikthejë nën një federatë me Serbinë. Interesi i saj është porti i Tivarit dhe bregdeti i këtij vendi, ku mund të ndërtojë një Vevastopol të ri dhe prek këtu të kërcënojë gjithë Europën e at detyrojë atë të vihet nën vasalitetin e Rusisë. Ndërsa Kosovën e përdor për interesa të tjera, si kërcënim për perendimin me qëllim njohjen e pushtimeve të sotme e të ardhshme që Kremlini ka planifikuar të bëjë në Europën Lindore”, shton ai.

Profesori pohon se, evropianët e kanë kuptuar më në fund se Vladimir Putin nuk ndalet në Ukrainë.

“Megjithëse të vonuar, më mirë vonë sesa kurrë. Megjithatë nuk besoj se çdokush në Europë është i vetëdijshëm për rrezikun e Rusisë. Nuk e di sa është i vetëdijshëm për këtë p.sh Viktor Orban, që e ndihmon Moskën për destabilizimin e BE-së. Sa është i vetëdijshëm kryeministri slloven apo presidenti kroat, presidenti çek, apo kryeministri polak! Sa janë të vetëdijshëm subjektet politike radikale në Europë, të majta e të djathta! Si p.sh Fronti Kombëtar Francez i Le Pen! Apo Partia e djathë ekstreme e Austrisë. Por dhe parti të tjera që bëjnë shërbimin e radhës për politikat anti-europiane të Vladimir Putin! Joseph Borrell duket se është shqetësuar për fatin e Europës nga aktet e dhunshme të Rusisë në Ukrainë. Por që t’i dalë përpara të keqes ai nuk duhet të lodhet për të udhëtuar sa në Beograd, sa në Prishtinë ose Sarajevë. Borrell e ka më të lehtë të udhëtojë shpesh në Madrid, Athinë, Bukuresht, Bratislavë dhe Nikozia me qëllim zgjidhjen e çeshtjes së njohjes së Kosovës nga këto vende dhe anëtërësimin e shpejtë të Ballkanit Perendimor në BE. Kjo presupozon edhe pranimin e saj në NATO”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, nëse këto akte, integrimi në BE dhe NATO bëhen fakt i kryer, nuk mundet që Beogradi dhe Moska ta destabilizojnë rajonin aq lehtë.

“Joseph Borrell e ka më të lehtë të koordinojë veprimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe t’i bëjë presion Serbisë për t’u shkëputur plotësisht nga ndikimi rus e të njohë shtetin e Kosovës. Nuk mundet që Beogradi të mbajë një dorë në revani e tjetrën në bakllava, pra të shijojë përfitimet si nga Rusia edhe nga Europa dhe SHBA-të! I duhet t’i vihet asaj një kufi ndarës e sjelljeje. Ose europiane, ose putiniane!”, thotë ai.

Ai thekson se, Kosova ndodhet në vështirësi nga agresiviteti rus, të cilin mund ta mbështesë hapur Serbia.

“Shefi i shërbimit sekret të Rusisë vjen të hënën e ardhshme në Beograd. Ai nuk vjen për të përgatitur dasmën e integrimeve euro-atlantike të rajonit. Por vjen për ta destabilizuar rajonin, duke ia kërkuar këtë Beogradit e ndoshta duke i bërë Serbisë presion shtesë. Prandaj duhet aksion i shpejtë. Dhe për këtë aksion të shpejtë Kosova dhe institucionet e saj duhet të jenë të përgatitur!”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb