TIRANË-Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet vlerëson marrëveshjen Shqipëri-SHBA për të marrë ekspertizë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë. Në një deklaratë për mediat PDIU shprehet se PDIU vlerëson nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.
“Duam ekspertizë amerikane për Marrëveshjen e detit me Greqinë. PDIU si parti e interesit kombëtar përshëndet me kënaqësi nënshkrimin e marrëveshjes së Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ajo është dëshmi se aleanca midis dy vendeve tona është përmbajtësore, afatgjatë në përputhje me traditën më të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Po vërtetohet dhe institucionalisht, dhe kontraktualisht ajo që sekretarja e shtetit Hillari Klinton, sot në garën për presidente e SHBA-ve i tha parlamentit tonë: “së bashku do jemi dhe 100 vjetët e
ardhshme”.
PDIU beson se autoriteti ndërkombëtar dhe rajonal i shtetit dhe kombit tonë fuqizohet ndjeshëm me këtë marrëveshje. Ne do të dëshironim të mbështeteshim me ekspertizën dhe mbështetjen e mikut tonë dhe për çështje të tilla sensitive si Marrëveshja e Ujërave, apo çështje të tjera.”- përfundon deklarata e PDIU-së.
(a.n/BalkanWeb)
