NGA: KLODIANA LALA
TIRANE-Ministria e Drejtësisë i kërkon shtetit italian të japë garanci që vendimi për Alket Hatijajn, njeriu i cilësuar si zot i drogës, do të rishqyrtohet nga e para. Kërkesa për garanci është bërë sipas parashikimeve të Kodit të procedurës Penale, që hyri në fuqi me datë 1 gusht.

Në kod parashikohet, që për ekstradimin e një shtetasi shqiptar, nevojitet që shteti kërkues të japë garanci se do ta shqyrtojë vendimin e dhënë në mungesë të të pandehurit. Për Alket Hatiajn, vendimi me 20 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës, është marrë në mungesë të tij. Ndaj, nevojitet që ky vendim të rishikohet, me qëllim që të mos shkelen të drejtat e personit të pandehur dhe që ai të ketë mundësi për mbrojtje efektive duke i dhënë mundësinë të paraqesë prova e fakte në favor të tij.

Nëse autoritetet italiane nuk japin përgjigje pozitive për kërkesën në fjalë, atëherë gjykatat shqiptare, janë në kushtet e refuzimit të ekstradimit të të kërkuarit. Çështja e Alket Hatiajt solli përplasje mes institucioneve, pasi 48 pas arrestimit, për qëllime ekstradimi, gjykata e Durrësit e liroi atë me masë detyrimi për paraqitje, me arsyetimin se për të njëjtat fakte që është dënuar në Itali, ka një vendim nga drejtësia shqiptare, të cilin ai e ka vuajtur.

Por ndryshe nga shkalla e parë, Apeli vendosi ta caktojë masën e arrestit me burg me afat 40 ditor për qëllime ekstradimi drejt Italisë të Hatiajt, megjithatë ky i fundit u arratis. Krahas çështjes së ekstradimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë po heton rreth veprimtarisë së gjykatësit që liroi Alket Hatiajn.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb