Ish-deputeti demokrat Luciano Boçi ka reaguar përmes një statusi në “Facebook” për ekzekutimin e dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Boçi shprehet se Shkodra sot ngjan me një Palermo.

Ai shton se Palermo është edhe Elbasani, Durrësi, Vlora e Tirana. Për Boçin, gjithë Shqipëria sot është një Palermo. Ish-deputeti thekson se vendi sot, udhëhiqet nga një organizatë kriminale, ndërsa akuzon Policinë e Shtetit se nuk ka vullnet për të zbardhur krime të rënda.

Statusi i Boçit:

JO VETËM SHKODRA

JO VETËM PALERMO

Kronikat e sotme të vrasjes së Shkodrës, e paraqesin qytetin e humorit si Palermon e vendit.

Situata e rëndë kriminale me vrasje pareshtur, e nxit këtë përcaktim.

Po nuk është vetëm Shkodra! Palermo është dhe Elbasani. Palermo është dhe Durrësi Palermo është dhe Vlora. Palermo është dhe Tirana. E gjithë Shqipëria është një Palermo. Qytetet tona gdhihen dhe ngrysen me vrasje bandash, vrasje hakmarrjesh, vrasje shtetërore. Krimi kontrollon sot votat, paratë, kanalet e narko-trafikut, në bashkëpunim të ngushtë më pushtetarë, politikanë qendrorë e vendorë.

Dhe atij nuk i hyn gjemb në këmbë. Sepse policia hesht. Policia nuk vepron, megjithëse di gjithçka. Policia nuk ka vullnet, sepse drejtuesit e saj janë bërë njësh me interesat kriminale.

Stina e zgjedhjeve, nxit më shumë stinën e vrasjeve, sepse krimi e di mirë që Ramës dhe skotës së tij i duhen votat dhe jo siguria e qytetarit.

Prandaj ne nuk jemi vetëm një Palermo e viteve 70-80. Ne jemi më shumë se kaq. Jemi vend që drejtohemi nga një organizatë kriminale e cila lan hesape, bën hesape, mbyll hesape, për hesap të pushtetit personal.

Në Palermo, krimin e organizatave e ndali protesta e qytetarëve. Në Shqipëri kështu po ndodh…

Të vazhdojmë betejën me organizatën kriminale në pushtet. Gjarpri i krimit mbytet nga koka!!!!!

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb