Në burgun i sigurisë së lartë Peqin, cilësuar si më bashkëkohori, janë sistemuar 70 të dënuar me burgim të përjetshëm. Mes tyre ndodhet edhe 46–vjeçari Arben Grori, një prej personave për të cilin drejtësia prej vitit 2002 e vazhdim ka dhënë dhjetëra vendime, pro dhe kundër.

Përfundimisht ai gjendet në qeli për dy vepra penale. Është deklaruar fajtor nga drejtësia Italiane për vrasjen e Naim Zyberit në 6 gusht 1997 në spitalin San Paolo, Milano, vrasësit të vëllait të tij, Artur Grori. Ishte vrasje e paramenduar. Ndërsa në Shqipëri është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg për trafik droge. Tashmë kanë kaluar më shumë se 17 vite nga arrestimi. Është përpjekur disa herë t’i shpëtojë dënimit, por pa sukses.

Në një intervistë nga qelia për gazetën “Shekulli”, ndonëse duke qeshur, Grori kujton kohën kur mediat pasqyronin çdo seancë gjyqësore kundër tij, apo çdo deklaratë që ai bënte.

Nga biseda me të kupton se e ndjek situatën jashtë. Të tregon me detaje mënyrën se si sipas tij, funksionon media, flet edhe për politikën e djeshme dhe atë të sotmen. Bën krahasimet mes tyre, e duket sikur mes fjalëve do të gjejë fajtorët e vërtetë të gjendjes, ku ndodhet ai dhe familja e tij.

Që në fillim na lajmëron se nuk ka shumë dëshirë të flasë për ngjarjen për të cilën edhe është dënuar, duke shpjeguar, se ajo tashmë është mbyllur në qeli, bashkë me të. Drejtësinë e cilëson të kalbur, të kapur, një sistem për të cilin thotë se nuk ka fuqi të vendosë vet. Grori flet për familjen, marrëdhëniet me fëmijët, mënyrën se si e kalon kohën në burg, luftën që bënë çdo ditë për të shpëtuar nga një sëmundje e rëndë që e ka kapur.

Nuk lë pa treguar edhe një nder që drejtuesit e burgjeve i kanë bërë, kur e shoqëruan për dy orë me qëllim për të takuar nënën 70-vjeçare të sëmurë.

Nëse do ktheheshim pas në kohë ç’farë do i thoshe Arben Grorit 20-vjeçar?
Ç’farë do i thosha. Tani, Arben Grori është 46-vjeçar. Janë ca gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me 20- vjeçarin. Janë punët e lidhura me shtetin. Në Shqipëri atëherë nuk ka pasur shtet. Nëse do ishte ndryshe, unë nuk do ndodhesha këtu. Në atë kohë punoja gjithë ditën dhe nuk i bija në qafë askujt. Por ç’farë të thuash kur atij 20-vjeçarit i binin në qafë, si individi ashtu dhe qeveria. Unë në atë moshë kam qenë në Gjermani po ç’e do, erdha këtu, pasi jam shqiptar. Kjo është e keqja ime.

Kujt ia vë gishtin dhe thua, ky më solli këtu ku jam?
Ia vë vetes sime. Fajin e kam vetë që erdha këtu. Pse erdha. Unë i kisha mundësitë të jetoja kudo, pasi kisha nënshtetësinë gjermane. Erdha për të jetuar pranë familjes. Pavarësisht se edhe të tjerët mund të kenë faj, kryesori bie mbi mua.

Ke kërkuar nga drejtësia që çështja jote të rigjykohet?
Unë kam kaq vite. Çdo njeri që është i dënuar kërkon të bëhet diçka për veten. Kam lëvizur të gjithë gurët. Kam shkuar edhe në Strasburg. Kam fituar çështjen. Por këtu jemi në Shqipëri, dhe kjo gjë nuk mund të diskutohet. Këtu është e keqja se, në ligj ka Maliq. Nuk është se vendos vetëm ligji apo gjykatësi.

Ju vuani nga në sëmundje. Prej sa kohësh jeni diagnostikuar dhe kush e mundëson mjekimin?
Që nga 2003-2004 vuaj nga dëmtimi i nervave, quhet sklerozë. Sëmundja më erdhi nga stresi i burgut. Vazhdoj të kurohem, pak vetë, e pak shteti. Pas dhjetë vitesh, shteti u kujtua të bënte diçka, vetëm pasi e detyruan të huajt pasi këtu s’ka asgjë. Ata kanë harxhuar 200 milionë lekë që të më mbajnë në burg në vend që të më nxjerrin jashtë për t’u shëruar. Para shtatë vjetësh gjykata europiane u shpreh me vendim që unë të shkoja në një spital civil. Por shteti nuk donte. Me dhunë shkova. Më çuan me 500 forca policie. Kishin frikë nga unë dhe më nxorën.

A është Ben Grori i rrezikshëm?
Atë e dinë njerëzit. Ti si mendon? Ke 15 vjet që shkruan për mua. A e kanë njohur njerëzit se kush është Arben Grori, a e dinë ata nga erdhi ky njeri ky kriminel, apo engjëll? Gjithmonë kam dashur ta di këtë. Se sa mirë keni shkruar për mua. Unë kam qenë një djalë i ri punëtor dhe tashmë përfundova këtu. Kam pasur lokale, hotele.

Çfarë të shtyu ty, të ndryshoje kursin dhe me kë i ke pasur kontradiktat më të mëdha?
Kështu ishte 1997. Çfarë të them më, a ka pas shtet atëherë? Ato janë bëmat, që ne vuajmë burgun tani. Kjo më shtyu mua të vija në Shqipëri për të punuar, nga mëngjesi deri në darkë. Nuk kam qenë tip problematik me njerëzit. Kam shkuar mirë me të gjithë. Këtu dalin shumë gjëra që tashmë nuk mund ta kthesh kohën mbrapsht. Sot, kushedi se ku do isha po të kisha qëndruar në Gjermani.

Si janë marrëdhëniet me institucionin, a ndodh që të kërkoni ndihmën e oficerëve?
Patjetër. Me ta i ndajmë të gjitha. Kërkojmë ndere, për takime shtesë, për të dalë diku, për ndonjë vizitë te mjeku, apo për të shkuar edhe në shtëpi. Para ca kohësh më dhanë mundësinë për dy orë të vizitoja prindërit, kisha mamanë sëmurë. Ajo është rropatur për mua nëpër burgje.

Atë vrasje në Itali nuk e kam kuptuar?  
Si ta kuptosh. Ç’lidhje ka Arben Grori nga Italia këtu. Por ky ishte shteti. Arben Grori duhej dënuar patjetër. Unë mora pafajësi një herë për atë.

Po ç’ndodhi?
Por, shkon Kryeministri dhe rreh kryetarin e gjykatës…dhe ja ku jam këtu.

Për kë e ke fjalën?  
Kryeministri i asaj kohe (viti 2002), shkon e i bën presion kryetarit të Gjykatës së Lartë të po asaj kohe (thotë emrin duke tundur kokën).

Sa shpenzon gjatë muajit dhe kush t’i mundëson të ardhurat?
Familja, motrat që kam jashtë. Më japin 500 mijë lekë të vjetra në muaj. Varet se çfarë konsumon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: