Banorët në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, kanë ngritur shqetësimin e tyre pasi, dhjetëra e qindra familje ndihen të kërcënuara nga zgjerimi i varrezave publike.
Sipas banorëve po afrohen ngjitur me banesat e tyre. Një përfaqësi e banorëve i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Elbasanit me një peticion duke kërkuar rishikimin e projektit dhe gjetjen e një zgjidhjeje alternative.
Banorët theksojnë se nuk janë kundër zgjerimit të varrezave si nevojë publike, por kundërshtojnë faktin që parcelat e reja parashikohen të jenë në një distancë jo më shumë se 10-15 metra nga shtëpitë e tyre.
Sipas banorëve , një situatë e tillë do të krijonte një ndikim të rëndë psikologjik, veçanërisht tek fëmijët, duke e bërë të vështirë jetesën e përditshme.
Nga projekti i Bashkisë Elbasan preken drejtpërdrejt për momentin rreth 30 familje, ndërsa numri i atyre që preken në mënyrë indirekte është edhe më i madh. Banorët paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të ndjekin rrugë ligjore, madje disa prej tyre shprehen se mund të detyrohen të braktisin banesat dhe lagjen ku jetojnë prej vitesh.
Në mbështetje të shqetësimit qytetar ka dalë edhe këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak, Artan Kana, i cili e konsideron të drejtë reagimin e banorëve dhe kërkon nga Bashkia e Elbasanit gjetjen e një alternative që respekton jetën dhe mirëqenien e komunitetit.
Nga ana tjetër, burime zyrtare nga Bashkia e Elbasanit bëjnë me dije se parcela në fjalë është tokë shtetërore e destinuar për varreza publike dhe e miratuar prej kohësh në Planin Rregullues të Qytetit.
Sipas Bashkisë, të gjitha procedurat ligjore për realizimin e projektit janë përmbushur, ndërsa komuniteti është njoftuar për këtë çështje që 3–4 vite më parë.
