Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, ka ngritur akuza të forta për situatën në qytet, duke e përshkruar atë si “një qytet të kapur nga bandat kriminale”. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Alizoti tha se grupet kriminale të lidhura me pushtetin kanë shtrirë ndikimin e tyre jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë vendin.
Sipas tij, administrata publike detyrohet të marrë pjesë në takimet elektorale të Partisë Socialiste, ndërkohë që Policia e Shtetit, e cilësuar prej tij si “bandë legale”, mbron interesat e pushtetit dhe injoron denoncimet për shkelje gjatë fushatës.
“Ka masivisht blerje votash, por nuk i denoncojmë sepse nuk kemi asnjë besim te institucionet e drejtësisë,” deklaroi Alizoti. Ai shtoi se fenomeni i shitblerjes së votës shoqërohet edhe me kërcënime ndaj qytetarëve.
“Elbasani është kthyer në një qytet narko. Bandat kërkojnë siguri dhe këtë siguri ua garanton shteti. Njerëzit blihen masivisht, hidhen para për votën, dhe më pas përdoret kërcënimi,” u shpreh Alizoti.
Ai theksoi më tej se problemi kryesor nuk janë bandat vetë, por lidhja e tyre me nivelet më të larta të pushtetit: “Në çdo vend ka banda kriminale, por kur ato përdoren për destabilizimin dhe kapjen e shtetit, kthehen në banda politike. Në Shqipëri problemi është i pari i vendit që i përdor për të ruajtur pushtetin,” përfundoi ai.