Elbasani ka nisur javën e përgatitjeve për sfidën e radhës ndaj Dinamos, por pas startit bie në sy një statistikë e veçantë.
3 golat e vetëm zyrtarë të shënuar deri tani nga ekipi kanë një të përbashkët: Të gjithë janë “Made in Shkodër”. Rubin Hebaj ka realizuar dy herë në kampionat, ndaj Laçit dhe Vllaznisë, ndërsa Ardit Nikaj mban autorësinë e golit në aventurën europiane ndaj BATE Borisovit.
HEBAJ, NJERIU I GOLAVE- Në dy javët e para të kampionatit, Elbasani ka gjetur rrjetën vetëm dy herë dhe në të dyja rastet autori ka qenë Rubin Hebaj. Sulmuesi shkodran shënoi fillimisht në transfertën ndaj Laçit, me anë të një 11-metërshi, ndërsa u rikthye te goli edhe në sfidën me Vllazninë, duke i dhënë skuadrës një pikë. Dy gola në dy ndeshje e kanë kthyer Hebajn në pikën kryesore të referimit për fazën ofensive të verdhebluve. Afrimi i tij gjatë merkatos së verës ishte menduar pikërisht për të sjellë më shumë prezencë dhe finalizim në sulm, ndërsa deri tani përgjegjësinë e golit po e mban ai.
NIKAJ, FIRMA EUROPIANE- Nëse kampionati ka njohur vetëm golat e Hebajt, edhe Europa ka pasur një autor nga Shkodra. Ardit Nikaj ishte ai që gjeti rrjetën për Elbasanin në përballjen europiane ndaj BATE Borisovit. Kështu, bilanci i golave zyrtarë të verdhebluve në këtë fillim sezoni është vetëm tre, por të gjithë kanë ardhur nga këmbët e dy futbollistëve shkodranë. Hebaj me dy gola dhe Nikaj me një tjetër kanë vendosur deri tani firmën mbi golat e Elbasanit. Hebaj dhe Nikaj janë kthyer në dy prej alternativave të rëndësishme të trajnerit Gvozdenoviç në repartin ofensiv, ndërsa skuadra pret që edhe pjesa tjetër e sulmit të nisë të japë kontributin e saj. Elbasani ka afruar disa lojtarë me tipare sulmuese gjatë kësaj vere dhe konkurrenca në këtë repart është e madhe. Megjithatë, deri tani, dyshja shkodrane ka bërë diferencën sa i përket finalizimit.
RADHA E DINAMOS- Pas dy barazimeve në dy javët e para, Elbasani kërkon fitoren e parë të sezonit në përballjen e radhës me Dinamon. Sfida do të jetë një tjetër test për skuadrën e Gvozdenoviçit, por edhe një mundësi për verdheblutë që të përmirësojnë shifrat në fazën ofensive.
Në kampin elbasanas shpresojnë që ndaj Dinamos të mos jenë vetëm Hebaj apo Nikaj ata që do të gjejnë rrugën e rrjetës. Deri në këtë pikë, megjithatë, historia e golave të Elbasanit është e qartë: tre gola, dy autorë dhe një origjinë e përbashkët, Shkodra.
