Gjatë prezantimit të programit të PS, kryeministri Edi Rama po prezanton edhe disa prej figurave të reja që përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.

Duke folur për planin e socialistëve për emigrantët, Rama ka prezantuar publikisht një emigrant shqiptar në Angli, i cili do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

“Kam kënaqësinë të ftoj një emigrant nga Londra i cili është bashkë me mua dhe do të jetë pjesë e skuadrës tonë të 25 Prillit. Lavdërim Krashi nga Dibra, ikur prej shumë vitesh, jetuar dhe përpjekur si gjithë të tjerët duke e nisur nga hiçi dhe sot shërbëtor publik i qytetarëve të Londrës në Bashkinë e Londrës. Njëkohësisht një njeri i respektuar në komunitetin shqiptar aty, si një kontributor në lehtësimin e gjithë proceseve që kanë shqiptarët”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Lavdërim Krashi thotë se pas shumë vitesh në shërbim të qytetarëve të Londrës, tani ka vendosur që të kontribuojë për vendin e tij.

“Jam lindur, rritur dhe arsimuar në Dibër edhe për të më merr malli gjithmonë. Unë jam larguar prej Shqipërisë në vitin 1994 sapo kisha mbaruar Universitetin dhe fitova bursë për të shkuar në Britaninë e Madhe. Ëndrra ime ishte që të qëndrojë 2 vite në Angli dhe të kthehesha në Shqipëri. Ndodhi ajo që s’duhet të kishte ndodhur që e ka kthyer Shqipërinë disa dekada mbrapa, ngjarjet e rënda të vitit 1996-1997 dhe kjo është arsyeja që unë ndenja në Britaninë e Madhe. Punoj në Bashkinë e Londrës dhe jam drejtues i planifikimit urban të strehimit. Londra ka një plagë të rëndë që është mungesa e strehimit. Nuk ka krenari më të madhe se sa të kontribuosh për vendlindjen tënde. Jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë është e ndritur. Përtej retorikave, këtu ka ndryshime të mëdha”, u shpreh ai.

Përveç Lavdrim Krashit, kandidatët e radhës që janë dy vajza emigrante si Briseida Gjoza dhe Bora. Dy emrat e radhës të propozuar nga shefi i qeverisë janë dy emigrante nga Elbasani, që prej vitesh jetonin larg vendit.

“Të merresh me politikë nuk do të thotë që të bëhesh politikane, por që bashkë me të tjerë të bësh të mundura gjëra që nuk I bën dot të mundura. Politika ka lindur për të bërë njerëzit bashkë kur ndajnë vizionin”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka bërë me dije se Krashi do të jetë pjesë e listave për kandidat në Dibër, Bora në Tiranë dhe Briseida do të jetë pjesë e listave të kandidatëve për deputet në Elbasan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb