Etrit Berisha 5.5 – Kishte mundësi të bënte më shumë në dy rastet kur Janko dhe Harnik shënuan për Austrinë. Nuk i lexoi mirë goditjet, por megjithatë s’mund të fajësohet ai për golat. Berisha evitoi disa të tjerë, duke shmangur në njëfarë mënyre humbjen e thellë. Konfirmoi edhe një herë se është një garanci për portën kuqezi.

Elseid Hysaj 5 – Ishte ndoshta paraqitja e tij më e dobët me fanellën kuqezi. Vuan shumë me Arnautoviç, madje më tepër edhe se kur kishte përballë Pogbanë e Juventusit. Shkodrani rriti nivelin e lojës në pjesën e dytë, por nga një lojtar si ai, natyrshëm që pritet më shumë. Ashtu si pjesa tjetër e mbrojtjes, ishte në një ditë të errët.

Lorik Cana 4.5 – Një paraqitje për t’u harruar. Përballë një sulmuesi gjigant si Janko e pati shumë të vështirë për të fituar duelet një për një. Këtë herë nuk arriti as të “lexonte” topat e gjatë. Në pjesën e dytë e menaxhoi më mirë lojën në mbrojtje, por kjo nuk mjaftoi pasi, ashtu si edhe kolegët e tjerë të repartit, ka përgjegjësi te golat.

Mërgim Mavraj 4 – Bën një gabim që mund të jetë i pari në karrierën e tij në atë mënyrë. Nuk arriti të koordinohej pas një topi nga porta në portë. E pafalshme për një mbrojtës të nivelit të Mavrajt, prej të cilit, duke filluar nga De Biazi dhe deri te tifozët, presin më shumë siguri. Një përgjumje totale dhe mungesë bashkëpunimi me Canën, duke lënë hapësira pa fund, që mund të kthenin ndeshjen në goleadë.

Ansi Agolli 5.5 – Është lojtari konstant i ndeshjeve të Kombëtares, por si titullar i padiskutueshëm pritet më shumë prej tij. Në gafën e Mavrajt edhe ai nuk e kuptoi lëvizjen e kundërshtarit në krahun e tij, që i doli pas shpine. Në pjesën e dytë është më i guximshëm dhe ndihmon skuadrën jo vetëm në fazën difensive, por edhe ofensive.

Andi Lila 4 – Ndeshja ndaj Austrisë duket se konfirmoi që De Biazi nuk duhet të eksperimentojë më me Lilën si mesfushor i krahut të djathtë. Nuk funksionon aspak me Hysajn dhe s’merr asnjëherë krahun për të ndihmuar Balajn qoftë edhe me ndonjë krosim. Lojtarët e krahut të majtë të Austrisë bënë qejf në pjesën e parë. De Biazi e zëvendësoi që në fillimin e 45 minutave të dyta.

Amir Abrashi 5 – Ndonjëherë grinta e tij nuk mjafton. Lufton shumë, por gabon po aq shumë në pasime. Në pjesën e parë vuan më tepër si pasojë e presionit asfiksues të austriakëve. De Biazi i beson deri në fund, por mesfushori nuk ishte në një ditë të mirë.

Ergys Kaçe 4 – Shfaqet nervoz dhe e lë skuadrën me 10 lojtarë në momentin më të mirë. Mesfushori korçar reflektoi dje ditën e errët të përfaqësueses në pjesën më të madhe të lojës. Bashkë me Abrashin dhe Xhakën, u zgjuan vetëm në pjesën e dytë, ku nisën të qarkullojnë topin. Por në minutën e 78-të i kuqi i tij prishi ekuilibrat.

Taulant Xhaka 5.5 – Bën 45 minuta për t’u harruar, me shumë pak herë në kontroll të topit. Zgjohet në pjesën e dytë dhe organizon disa aksione sulmuese. Luftarak dhe agresiv, por edhe ai dje nuk ishte në ditën e tij më të mirë, duke rënë shumë pak në sy gjatë lojës.

Ermir Lenjani 7 – I vetmi që arrin të shkëlqejë edhe kur Shqipëria nuk bën lojën që duhet. Bëhet lojtari më i rrezikshëm për austriakët që në pjesën e parë, ndërsa në të dytën finalizon më së miri, duke shënuar një supergol. Duket se e ka blinduar krahun e majtë me kuqezinjtë.

Bekim Balaj 5.5 – Për fatin e tij të keq, është në fushë në 45 minuta ku Shqipëria nuk bëri as dy aksione deri te zona e kundërshtarit. Has në mbulimin e rreptë të austriakëve, por nuk ndihmohet aspak nga krahët. Asnjë top në zonë për të shfrytëzuar shtatlartësinë e tij.

Sokol Cikalleshi 6 – Në prekjen e parë të topit hipotekon golin. Teknika e sulmuesit, që dje u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë, duket se po bëhet më shumë se e domosdoshme për një skuadër si Shqipëria. Cikalleshi tregoi klas dhe falë aktivizimit të tij, kuqezinjtë u bënë më të rrezikshëm në vijën e parë të sulmit.

Odise Roshi 6 – Futet në fillimin e pjesës së dytë dhe i jep frymëmarrje skuadrës me inkursionet nga krahu i djathtë. Shpejtësinë që ka duhet ta shfrytëzojë edhe më shumë. Një ndeshje e mirë për mesfushorin, që e bëri skuadrën të guxonte më tepër drejt sulmit.

Armando Sadiku – Luajti vetëm 14 minuta (bashkë me shtesat) dhe e pati shumë pak në kontroll topin. Nuk mund të vlerësohet për një ndeshje ku s’pati mundësi të tregonte vlerat që ka.

Migjen Basha – Vetëm shtatë minuta në fushë dhe i jep qetësi Kombëtares sa herë që mban topin. Megjithatë nuk mund të jepet një vlerësim për hapësirën që iu rezervua mesfushorit nga De Biazi.

Burim Kukeli – Futet në fushë në një moment kur ndeshja po shkonte drejt fundit. Nuk mund të jepet një vlerësim për hapësirën që iu dha./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: