NGA ENIDA HIMAJ

TIRANE- “Quiz TV” do të ketë një përqasje të së vërtetës, ku nëpërmjet dinamikës së lojërave do të gjenerojë kulturë, të vërtetën dhe sigurisht edhe argëtim”, shprehet moderatorja simpatike e ‘show’-t më të ri që pritet të nisë së shpejti në “News 24”.

Matilda rrëfen që ky format do të vijë si një domosdoshmëri për publikun, që do të mund të fitojë para duke u argëtuar apo edhe duke përfituar dije. Sa i përket numrit 0900 që do të jetë edhe numri i emisionit, prezantuesja shprehet se tashmë është momenti që mos të keqkuptohet më nga publiku.

“Si shpirti binjak i tjetrës” shprehet ajo teksa e pyesim për kolegen në emision, Daljanën. Me shumë vite në skenë dhe me shpirtin e lojës, Matilda është gati për të na pritur të gjithëve në “Qiuz TV”…

Matilda vjen në “News 24” me një emision të ri, çfarë është ky program?
Pas një rendje në formate mate dhe projekte të ndryshme televizive, duhet të theksoj se programi “Quiz TV” është po aq i rëndësishëm për mua sa çdo gjë tjetër. Është një program i kompletuar dhe i mirëmenduar nga kreatorët dhe realizuesit e tij, Artur Bejzade dhe Zoran Maidak. Është një staf i madh me zemër dhe dëshirë të madhe për të vënë përpara këtë projekt, duke punuar me një profesionalizëm të theksuar për të garantuar sukses të padiskutueshëm.
mati

Kompania “Alser” e cila ka ekskluzivitetin në lojërat quiz në bashkëpunim me Artur Bejzaden janë treguar të kujdesshëm, duke kuruar kështu edhe detajet më të vogla për të qenë sa më afër publikut me pyetje nga të gjitha fushat. Duhet të theksoj se “Quiz TV” është një risi, i cili shfaqet në “News 24”, pasi ky televizion në të gjithë jetëgjatësinë e tij i referohet lajmit, të vërtetës në kohë reale, asaj çka ndodh brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë. Në këtë këndvështrim, edhe “Quiz TV” do të ketë një përqasje të së vërtetës, ku nëpërmjet dinamikës së lojërave do të gjenerojë kulturë, të vërtetën dhe sigurisht edhe argëtim. Do të jetë një format i përditshëm nga ora 15:25 deri në 16:26.

Si ju erdhi ftesa?
Siç e përmenda pak më lart, pas një rendjeje në formate të ndryshme televizive, ftesa për të qenë pjesë e këtij programi ishte sa intriguese, aq edhe hezituese nga ana ime. Ishte këmbëngulja e Arturit përfshirja ime në këtë projekt. Mbase nga këndvështrimi i tij, temperamenti dhe ajo çka unë personalisht mbart në vetvete, e shtynte atë që unë të provoja, të provoja të isha ndryshe dhe më afër publikut. Kështu, në mes mëdyshjeve dhe dëshirës për të ardhur në një format ndryshe, unë zgjodha këtë të fundit…

Si ndjehet Matilda përballë një formati në formën e quiz-it, sa mendon se do të funksionojë?
Në përgjithësi në jetë dhe në arritjet e mia deri tashmë, bashkudhëtare me vetveten kam pasur gjithmonë shprehjen “nëse nuk tenton, nëse nuk provon, asnjëherë nuk e di çfarë përfiton apo jo”. Jam mësuar t’i dedikohem e t’i jap rëndësinë e duhur me punë dhe shumë vullnet çdo projekti timin dhe besoj që sikundër deri tani, me shumë vëmendje dhe përkushtim do të marr më të mirën në këtë format të ri. Sigurisht sadisfaksioni do të jetë tepër i lartë, pasi dhe komunikimi me publikun do të jetë shumë direkt, duke i mbështetur dhe duke qenë në krah të tyre. Besoj dhe shpresoj që do të arrij maksimumin tim dhe do të jetë një emision i suksesshëm për atë që mbart e përcjell.
mat

Për kë është ky program, a ka një target-grup?
Ky program fton të gjithë teleshikuesit të bëhen pjesë e lojërave, duke përfituar dhurata dhe shumë çmime. Sigurisht duke pasur parasysh dhe rregulloren e televizionit në të cilin do të transmetohet ky program, në target grupin e tij do të jenë të mirëpritur të përfshihen edhe fëmijët, të cilët do të luajnë për dhurata të shumëllojshme.

Ku ndryshon nga formatet e tjera, çfarë e bën të veçantë?
Këtë format e bën të veçantë komunikimi dinamik me spektatorin, konvertimi i dijeve në benefite monetare dhe në njësinë e kohës sasia e informacionit është veçantia e këtij programi.

Si e prisni përballjen me publikun?
Unë jam pjesë e publikut dhe kjo është forma me të cilin do të ndërveproj në këtë program. Kështu që mendoj që arma e fortë e këtij programi është pikërisht komunikimi i drejtpërdrejtë dhe mbështetës kundrejt publikut. Besoj që përballja do të jetë emocionuese, argëtuese dhe besimplotë për të qenë të suksesshëm.

Më herët numri i famshëm 0900 kishte një reputacion jo të mirë, ose ndryshe linja e kuqe, tashmë do të jetë numri ku do të fitohen para, si mendoni t’ia ndryshoni reputacionin?
Keqpërdorimi i atëhershëm i këtij numri (0900) ka çuar në një imazh të keq të përkohshëm. Çdo gjë kristalizohet dhe merr formë në bazë të asaj që transmeton dhe asaj çka kërkon të përçosh drejt publikut. Më lejoni t’ju informoj se prania ime në këtë format nëpërmjet komunikimit të këtij numri do të shpërndahet dije dhe informacion nga fusha të ndryshme kulturore, sportive e më gjerë. Absolutisht duke përçuar dije e kulturë, reputacioni detyrimisht ndryshon dhe është e papranueshme për ne e kundërta.

Përse një numër 0900, mendoni se publiku do të keqkuptohet?
Nuk besoj aspak se ka vend për keqkuptime përsa i përket zgjedhjes së këtij numri. Është bërë kjo zgjedhje, sepse është i vetmi komunikim i mundshëm për realizimin e ‘quiz’-eve me pagesë të ndërsjelltë.

Në këtë format jeni së bashku me Daljanën, si funksiononi ju të dyja?
Në këtë format do të jemi dy moderatore, unë dhe Daljana. Autorët e menduan kështu dhe mendoj që ishte zgjedhja më e mirë e bërë. Daljana është një vajzë kinge, me një karizëm shumë interesant dhe shumë aktive. Më pëlqen grinta që shfaq dhe pasioni me të cilin i bën gjërat, e kjo besoj na jep shumë mundësi për të qenë një dyshe e fortë dhe tepër afër publikut. Edhe pse nuk njiheshim më parë, jemi mike shumë të mira dhe bashkëpunuese shumë të mira.

Është më mirë apo penalizuese kur ke edhe një tjetër moderatore në krah?
Mendoj që është më mirë të kesh në krah një moderatore. Do të bëja një paralelizëm ndoshta pak të çuditshëm për ju, por domethënës. Në rastin e këtij formati ne të dyja jemi “si shpirti binjak i tjetrës”, ç’ka nënkupton që secila nga ne mbart vlera të padiskutueshme, plotësojmë njëra-tjetrën dhe mësojmë nga eksperienca e secilës. Unë jam tepër komode dhe nuk e shoh aspak si penalizuese Daljanën, përkundrazi.

Sa marrëdhënie ka Matilda me televizionin?
Qysh më herët në moshën e fëmijërisë, midis ëndrrave të shumta, televizioni apo fusha e artit zinte një vend të rëndësishëm në mendjen time. E një ditë të bukur kjo ëndërr filloi të merrte formë në jetën time, duke marrë pjesë në kompeticione të ndryshme bukurie. Sigurisht, dëshira për të ecur sa më shumë e për të eksploruar në fushën e televizionit ecte paralelisht me rritjen time mentale. Çdo gjë në jetën time të arrirë deri në këto momente e quaj një eksperiencë dhe një sfidë të madhe për të vjelë frytet më të mira. Jam e lumtur me arritjet ashtu sikundër shpeshherë kritikoj veten për t’u përmirësuar më tepër. E dua televizionin, kamerën, gjej vetveten. Shpresoj edhe teleshikuesit të duan Matildën dhe potencialet e saj.

Cila është jeta juaj e përditshme kur nuk jeni në “News 24” duke u marrë me emisionin?
Kam një jetë tepër intensive dhe të mirëprogramuar. Ashtu siç puna kërkon vëmendjen dhe përkujdesin e duhur, po aq e rëndësishme jashtë saj për mua është familja ime e shenjtë, bashkëshorti Elton dhe sigurisht frymëzimi dhe motivi për të ecur përpara e për t’i dhënë shumë mundësi e shanse jetës sime, djali Louis. Djali është sa dashamirës dhe mbështetës për mua, aq edhe kritik. Jashtë angazhimeve të ndryshme profesionale, pjesën më të rëndësishme të kohës e zë argëtimi, përkujdesja ndaj Louis dhe familjes sime. Do ta quaj veten me shumë fat dhe shumë të lumtur për mbështetjen dhe përkrahjen e prindërve të mi, të cilët kanë besuar gjithmonë në mua. Jam e bekuar dhe u përulem të gjithë njerëzve të mi të familjes, që i kam kurdoherë në krah.

(BlueTooth/Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb