Aferat me tenderin për blerje karburanti
Një tjetër tender me probleme është ai për “blerje karburanti” për vitin 2023 me fond limit 20 milionë lekë nga Bashkia Vau i Dejës.
Kompanitë fituese “GEGA CENTER GKG” shpk – “GEGA OIL GROUP” SHA paraqitën ofertën 20 milionë lekë me normë fitimi 20 lekë për litër.
Ndërkohë kompania tjetër “SEFA” sh.p.k kishte një propozim më ekonomik për buxhetin e bashkisë, me vlerë oferte me marzh 17 lekë/litër, por u tërhoq nga gara duke lënë në tavolinë vetëm “GEGA CENTER GKG” shpk – “GEGA OIL GROUP” SHA.
Gjatë fazës së vlerësimit të ofertave rezulton se kompania “Sefa” ka paraqitur një kërkesë për tërheqje nga oferta.
Ndërkohë që kompania ka paraqitur një dokument si sigurim oferte pranë kompanisë së sigurimeve me nr. serie 0141939, më datë 20 korrik 2023 në shumën 404 mijë lekë për llogari të Bashkisë Vau i Dejës.
Nga verifikimi i dokumentacionit konstatohet se kjo shumë nuk është transferuar në llogarinë e Bashkisë Vau i Dejës dhe nuk është kërkuar nga kjo e fundit. Pra, shuma prej 404 mijë lekësh përbën dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë Vau i Dejës. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto veprime janë në kundërshtim me VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, neni 30, pika 6.
Bashkia e Vaut të Dejës nuk ka dokumentuar llogaritjen e vlerës së kontratës pasi nuk dokumentohet dhe argumentohet sasia e karburantit mbi të cilën është hartuar fondi limit. Veprime këto të cilat nuk janë në përputhje me ligjin “Për prokurimin publik”.
Shembujt e mësipërm nuk janë të rastësishëm. Në Shqipëri mungesa e konkurrencës së vërtetë në tendera është bërë rregull, duke eliminuar sistematikisht ofertat më të lira dhe duke favorizuar kompani të lidhura politikisht.
Në rastin e rikonstruksionit të shkollës në Mjedë, mbikëqyrjes së punimeve, infrastrukturës në zonat informale dhe pikës së grumbullimit, Bashkia Vau i Dejës ka shpërblyer kompani që ofrojnë çmime më të larta, duke shkelur parimin themelor të prokurimeve, ekonomicitetin dhe eficiencën.
Nëse do të ndiqeshin procedurat korrekte, vetëm nga dy tenderët e parë do të kishin kursyer miliona lekë, që mund të ishin investuar për shërbime për qytetarët.
Por realiteti në terren është tjetër, taksat që u vilen shqiptarëve kthehen në pronë private, ndahen sipas interesave politike dhe klienteliste, duke u bërë një mall i shitur në dëm të interesit publik.
Por një nga faktet që ngre hije dyshimi për aferat me shkollën “Hasan Meti” është drejtuesi i projektit, që është administratorja e njërës prej kompanive “ARABEL – STUDIO” njëkohësisht edhe aksionerja Ana Nishku. Kjo e fundit ka qenë pjesë e dosjes së ish kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla i cili u dënua nga Gjykata e Posacme Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku Nishku ishte vendosur në arrest shtëpie pasi SPAK e akuzonte për fallsifikim të dokumenteve.
(BalkanWeb)