KAVAJË

Detaje të reja raportohen nga ngjarja e rëndë në Qerret të Kavajës, ku 4 turistë rusë u gjetën të pajetë brenda një saune.

Gazetarja Dorjana Bezat tha për ‘BalkanWeb’, se 4 turistët rusë kishin prenotuar për të kaluar pushimet në hotel ‘Gloria’ në Qerret, por mbrëmja e 15 tetorit duket se ka qenë fatale për ta. Burime paraprake thanë se 4 turistët rusë, përkatësisht dy gra e dy burra, janë gjetur të pajetë në sauna nga stafi i hotelit, rreth orës 22:20,  të cilët menjëherë kanë njoftuar ambulancën.

Sakaq në vendin e ngjarjes është ngritur grupi hetimor për të sqaruar rrethanat e vdekjes së 4 turistëve rusë. Paraprakisht policia tha se shkak për humbjen e 4 jetëve të jetë bërë asfiksia në sauna, por dyshohet gjithashtu që turistët rusë të kenë qenë nën efektin e alkoolit, c’ka mund të ketë përkeqësuar gjendjen e tyre. Gjithësesi është ekspertiza ligjore ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.

Ndërkohë në polici janë shoqëruar stafi i hotelit si edhe personat që mund të kenë dijeni. Lidhur me ngjarjen e rëndë mësohet se është njoftuar edhe ambasada ruse në Tiranë.

Turistët rusë që humbën jetën në hotel:
Nataliia Burenkova, 58 vjeçe,
Sergei Burenkov, 60 vjeç,
Nikita Belousov, 37 vjeç
Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: