TIRANË

Shkon në 10 numri i të arrestuarve në operacionin e koduar “Transferta” që çoi në goditjen e një grupi, i cili ndërhynte në llogaritë e “Facebook”.

Në vijim të operacionit për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar një muaj më parë nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi Shkëlzen Bytyçi, pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit Sh. B. dhe ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, për shtetasin e shpallur në kërkim Shkëlzen Bytyçi, 29 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb