Eneda Tarifën së fundmi e kemi parë shumë të angazhuar në muzikë, ku ka publikuar dy videoklipe njëri pas tjetrit, “Dashuri siberiane” në muajin dhjetor dhe “Për ty” në muajin shkurt.

Këngëtarja zbuloi se është duke punuar për dy projekte muzikore, e para është përpunimi i një kënge të njohur të arbëreshëve të Greqisë, e cila do të jetë një këngë e bukur vere. Ndërsa projekti tjetër që Eneda është duke punuar është për “Këngën Magjike”, festival në të cilin ajo në 2019-n rrëmbeu çmimin e parë me këngën “Ma zgjat dorën”.                                                                                                                                       “Një nga të vetmit festivale që po mbahet gjallë dhe bukur ku artistët mblidhen. Kjo është detyra jonë të bëjmë këngë, dhe të konkurrojmë pse jo”, tha këngëtarja.

Eneda Tarifa flet edhe për largimin e saj nga Portokallia, kujtojmë që para disa vitesh ajo e ka prezantuar programin e humorit për gjashtë vite me radhë, por në 2016-n vendosi të largohet për t’u rikthyer për vetëm një sezon tetorin e kaluar. Ajo tregoi se kur u riktheu disa gjëra nuk shkuan siç ajo e kishte menduar, edhe pse me rikthimin e saj në një farë mënyre i realizoi ato që ajo donte.

“Mendova t’i përkushtohem muzikës pasi kam kaq vite që merrem me televizion, dhe kam harruar që në  fakt është muzika është ajo që m’i ka dhënë të gjitha këto të mira. Duhet të vazhdoj të bëj muzikë, pasi jam nga ato këngëtare që kam pak këngë, edhe pse ato që kam janë të mira kryesisht”, shtoi këngëtarja.

Në fund të mbrëmjes, Eneda së bashku me vëllezërit korçarë kënduan këngën “Mamën ti mos e gënje”, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb