TIRANË- Natasha, gruaja që përfundoi bashkë me vajzën e saj 5-veçare në një dhomë paraburgimi pasi kishte rilidhur energjinë elektrike në një kohë që është debitore rrëfen për emisionin me “Zemër të Hapur” orët e tmerrit në një qeli të pisët dhe me tym duhani, siç thotë ajo.
Gruaja 42-vjeçare tregon se ka qëndruar në qelli për më shumë se 8 orë, ndërsa shton se nuk e dinte që do mbahej në këto kushte.
“Vajza dridhej nga frika, sepse deshën të na marrin me forcë. I thashë do vijmë vetë në polici. Mendova se vetëm do më merrnin në pyetje se nuk e dija që do përfundoja bashkë me vajzën në paraburgim tek komisariati nr.3. Po ta dija që do më fusnin në burg do bëjë rezistencë deri me jetë. Vajza ime përjetoi një tmerr aty brenda. Qëndruam në këmbë për të gjitha orët, ambienti ishte shumë i pistë dhe i papërshtatshëm edhe për kafshët”, thotë ajo.
Më tej gruaja shton se, “E pranoj se jam debitore e energjisë, e kanë vërtetuar edhe në komisariat. Unë ju thashë se sa të gjeja një punë do ta shlyeja energjinë, ata nuk pranuan, më thanë do të fusim tek ajo dhoma, dhe se s’mund të bëjmë gjë”.
Duke përshkruar qelinë ku qendroi bashkë me të bijën Natasha thotë se para se të hynin ato të dyja aty kishin qëndruar rreth 10 burra të ndaluar për vepra të ndryshme, të cilët kishin konsumuar pafund duhan, duke lënë pas një erë të rëndë.
“Sapo hymë aty, vajza dridhej, qante, sepse iu përkeqësua edhe gjendja shëndetësore. Në atë dhomë kishte më shumë se 10 persona, para se të hynim ne. Një nga të ndaluarit qau me lot kur pa një grua dhe një fëmijë që hynin në paraburgim në një dhomë ku këta burra kishin pirë pafund duhan. Më morën në pyetje me vonesë, pas 5 apo 6 orësh. Pasi kërkoja ndihmë për psikologe dhe ndihmë për ushqim për vajzën, nuk mu përgjigjej askush. Iu thosha që vajza do të hajë më thanë ‘Ky stan këtë bylmet ka’. Kërkoja ushqim për vajzën, por askush nuk më solli gjë”, thotë Natasha më tej.
Gruaja rrëfeu më tej se i është debitore shtetit për 2 milionë e 800 mijë lekë të vjetra dhe me kamatëvonesa shuma shkon deri tek 5 milionë lekë të vjetra.
“Neve u liruam nga policia natën, shkuam vetëm në shtëpi rreth orës 11:00 të natës”.
42-vjeçarja thotë se vajza e saj jo vetëm ka vuajtur atë ditë, por se akoma dhe sot vuan pasojat e atij shoqërimi. “Vajza bëhet agresive, natën nuk fle gjumë. Nuk do të dalë nga shtëpia ka frikë se mos e çoj në polici. Ajo më thotë ata janë të këqij, më fusin në burg, nuk më japin as bukë, as ujë. Ka filluar të vizatojë dhomën e izolimit, më bën aty brenda mua dhe veten, pa ashtu edhe korridorin me policë”.
(ma.ar/BalkanWeb)




Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb