Nga: GERILINA KODHELI*
TIRANE – Një konflikt pronësie ka nxehur situatën në puntatën e fundit të rubrikës “Shihemi në gjyq” në “E Diela Shqiptare”. Dy vajza të një familjeje, e cila është në gjyq prej 20 vjetësh për një pronë në Vlorë, degjeneruan në dhunë, ndërsa ishin në seancën e ndërmjetësimit me Eni Çobanin. Ngjarja i la të gjithë pa fjalë, ndërsa Eni na tregon në këtë intervistë për “GSH” të pathënat e historisë, frikën për një krim të mundshëm në familje, apo edhe dyshimet se situata mund të tejkalonte cakun.
Eni, ishit pjesë e një ndërmjetësimi që degjeneroi në dhunë në transmetim ‘live’ në rubrikën tuaj “Shihemi në gjyq”…
Në fakt, njerëzit kanë arritur në pika të tilla që nuk mbajnë më, nuk durojnë më. Kjo ka të bëjë edhe pak me karakterin; njëra është e qetë, ndërsa tjetra e përcjell në mënyrë pak më të nxehtë. Janë disa frenime që unë përpiqem t’ua bëj gjatë seancës, por ato dalin edhe nga vetja, sepse i ka çuar situata deri këtu, nuk mbajnë më. Flasim për një situatë 20-vjeçare; kanë vdekur shumë njerëz në këtë proces, jo vetëm nga procesi, por nga gjatësia e tij. Veç kësaj, Eklarina ka edhe dy ngjarje të tjera, njëri prind i ka vdekur në sallë dhe vëllai i është paralizuar në një seancë tjetër gjyqësore. Pra, ka disa ngjarje kjo familje dhe Eklarina vetë, ndaj edhe e përcjell shumë nxehtë situatën, që është bërë e tillë jo vetëm nga familja brenda, por edhe gjyqtarët. Duhet të dini se në këtë çështje janë 35 gjyqtarë, dhe si është e mundur që në 35 gjyqtarë dhe në 20 vjet të mos zgjidhet një çështje kaq e thjeshtë? Aty flitet për një testament, është apo nuk është dhe nëse janë apo jo bashkëpronarë. Ne si juristë nuk e kuptojmë pse duhet të zgjaten këto procese kaq shumë dhe pse ndërlikohen deri në pikën që degjenerojnë edhe në ndeshje fizike me njëri-tjetrin.
Në momentin që zonjat u konfliktuan, pate frikë për më të keqen?
Eklarina është natyrë pak e nxehtë, për shkaqe personale. Ajo është e pamartuar, i ka qëndruar besnike familjes, ka ndjekur këtë proces dhe është bërë pak burrë, i ka ikur fizionomia e femrës. Tani është bërë si burrë i vërtetë me këto përpjekjet e saj për të fituar pronën. Megjithatë frikë nuk kam, nuk mund të ndodhë ajo që njerëzit mendojnë. Ajo mund t’i afrohet personit tjetër për të shprehur nxehtësinë e situatës, por nuk mendohet se do të ketë një goditje fatale, apo një fatkeqësi. Mund të merakosem për ndonjë shpullë, për situatën e nxehtë, por asnjëherë se do të arrijnë në pikat më ekstreme. Sigurisht që, këto nuk janë forma pozitive të zgjidhjes dhe unë përpiqem gjithmonë t’i qetësoj njerëzit, ndaj i sjell në seanca ndërmjetësimi, që të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin. Por, ndonjëherë gjërat degjenerojnë dhe, siç e patë edhe ju, sikur një fjalë e palës tjetër, e nxeh kaq shumë situatën saqë tjetri nuk përmbahet. Këto janë momente që mundohem me delikatesë t’i zbus. Sidoqoftë unë mendoj se Eklarina është natyrë e tillë, që fëmijë ka qenë e hedhur dhe dominante. Vjollca ishte natyrë krejt tjetër, një zonjë e vuajtur, që donte paqe, nuk donte gjakmarrje apo degjenerime të situatës. Ajo donte që të merrej prona dhe të fitonin të gjithë. Por, Eklarina nuk e mendon dot këtë, sepse thotë që është bërë një mashtrim kaq i madh, që po i marrin pronën dhe po e hanë të tjerët. Në fakt është e vërtetë, ato pallate janë bërë, i kanë blerë të tjerë dhe nuk e di se sa persona të tjerë do përfshijë kjo histori. Mendoni që këto pallate janë ndërtuar mbi një pronë dhe duhen prishur të gjitha kontratat e shitblerjes së apartamenteve. Mendoni se sa banorë do të jenë në këtë pikë halli. Ju nuk e merrni dot me mend se çfarë ka ndodhur në zyrën time, me telefonata, me qytetarë nga Vlora, të shqetësuar se si do të vazhdojë kjo histori, sepse kanë blerë apartamentet. Natyrisht, përgjigjja ime është të presin vendimin e gjykatës. Por sigurisht, nëse dikujt i është marrë prona, ajo do kthehet, në një mënyrë, apo në një tjetër.
Ju kanë kërcënuar të hiqni dorë nga çështja?
Kërcënim është fjalë pak e rëndë, por mund të them se ka pasur në mënyra indirekte fjalë për të hequr dorë. Unë jam njeri konsekuent dhe në momentin që vendos ta bëj diçka publike përfshihem edhe personalisht, si me figurë, edhe me fjalë. Detyrimisht që unë do ta çoj deri në fund çështjen dhe e mbaj premtimin. Sado kohë të kalojë, unë në fund them edhe se çfarë ndodhi. Besoj se ky do të jetë një nga ato raste që do të vij përsëri në “Shihemi në Gjyq” për përfundimin.
Cili ishte mendimi i parë që kishit në momentin kur zonjat dolën nga kontrolli?
Unë e kuptoj shumë mirë situatën, njoh edhe Eklarinën, ajo nuk mund të bëjë kurrë ato që njerëzit mund të mendojnë. Kjo është edhe siguria ime, pasi unë nuk i njoh në moment njerëzit, por punoj prej muajsh me ta. Përpiqem ta qetësoj situatën pa e nxjerrë në publik, nuk është motivi im publikimi me domosdoshmëri. Por, duke e parë që gjërat nuk qetësohen, atëherë njerëzit vendosin së bashku me mua që ta publikojmë. Nuk kam frikë, por nuk do doja që këto të ishin forma publike, që njerëzit të shikojnë.
Mendoni se duhet të ndodhin këto në transmetim?
Unë jam kundër këtyre formave dhe, e përsëris, u kërkoj ndjesë shqiptarëve sa herë që kemi situata të kësaj natyre, por njerëzit duhet të kuptojnë edhe ata që dalin aty, nuk e bëjnë nga qejfi, por nga halli. Me pak fjalë, personi atë ditë e quan të tijën, pra i thotë vetes “unë nuk kam folur 20 vjet dhe tani dua që hallin që kam të ma dëgjojë e gjithë bota”. Aty vepron edhe emocioni, dhe njerëzit që janë aty nuk janë të gjithë intelektualë apo me arsim të lartë. Këto janë defekte edhe të kulturës shkollore dhe familjes. Janë shumë elementë që e bëjnë dikë të dalë nga vetja, por asnjëherë nuk duhet të mendoni se situata mund të degjenerojë edhe më keq, është thjesht inat i momentit.
Të dielën që vjen, për çfarë do të jetë çështja?
Edhe këtë herë situata është e nxehtë, por në një mënyrë tjetër. Unë shpresoj dhe uroj që të mos përsëritet situata që kaluam të dielën e shkuar, por edhe këtë herë do të flitet për një ngjarje të rëndë. Të mos flas për çështjet që do të vazhdojnë deri në janar, të cilat janë vërtet të rënda. Shqiptarët janë të acaruar dhe duhet të merreni me shkakun e të gjithë këtij acarimi, me drejtësinë, e cila është një fjalë që në përmbajtje nuk ka padrejtësi, por ajo prodhon padrejtësi. Drejtësia është elementi me të cilin shoqëria duhet të merret në mënyrë të përditshme që të arrijmë qetësi në këtë vend, përndryshe ajo ngjarje që ju patë do të ketë pasoja edhe me njerëz të tjerë, sepse janë 6 familje që janë në acarim të jashtëzakonshëm. Nuk mjafton që vetëm të flasim; ne duhet të veprojmë dhe ta bëjmë drejtësinë që të kemi frikë prej saj. Ne nuk duhet të frikësohemi nga njerëzit që dalin të dielën, por nga ata që vulosin për jetët e njerëzve në këtë vend.
I trembeni mundësisë së një krimi në familje?
Njerëzit janë gjaknxehtë, u janë bërë nervat tel. Nuk flasim më për njerëz të qetë, ata nuk e marrin dot me qetësi këtë situatë, sepse këta vuajnë për bukën e gojës dhe, nga ana tjetër, kemi milionerë me 7 pallate. Jetojnë në diferenca të mëdha, ndërkohë që prona është e përbashkët dhe e gëzon vetëm një prej tyre. Si mund të parashikojmë çfarë mund të ndodhi?! Madje, unë dua t’i vë në dijeni të gjithë, që çdo gjë mund të ndodhë, por unë uroj që kurrë të mos ndodhë. Ne duhet të marrim masa, ta parandalojmë të keqen; ky është motivimi im, ky është objektivi im.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
