Një protestues ka marrë fjalën përpara Kryeministrisë duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj të gjithë klasës politike shqiptare, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, ndërsa shpalosi vizionin e tij për një model tjetër qeverisës.
Në nisje të fjalës së tij, ai refuzoi të përshëndesë përfaqësuesit e partive kryesore politike në vend.
“Gjej rastin të mos përshëndes deputetët e PS, turpin hajeni me bukë. Po ashtu deputetët e PD nuk i përshëndes, nuk di çfarë t’u them. Zoti i mëshiroftë!” u shpreh ai.
Më tej, protestuesi shpjegoi arsyet se pse i është bashkuar tubimit çdo ditë, duke renditur parimet e një shteti që sipas tij duhet të bazohet te ligji dhe merita.
“Më pyesin pse dal në protestë çdo ditë. Përgjigjen e kam për ata që më pyesin dhe për ju këtu. Kam një vizion dhe një ëndërr në mendje. Shqipëria ime është Shqipëria ku pushteti i takon sovranit. Vendi ku deputetin e zgjedhim vetë, komuniteti, lagja e zgjedh vetë. Vendi ku arsyeja pse njerëzit punësohen në administratë është merita! Vendi ku sindikatat mbrojnë punonjësit në bazë të ligjit. Vendi ku ligji është i barabartë për të gjithë! Sipas vizionit tim në Shqipërinë tonë ka vetëm ligj, jo maliq!” deklaroi ai.
Në mbyllje të fjalës, ai paralajmëroi fundin e epokës së liderëve aktualë dhe figurave të tjera politike në vend, duke përdorur tone të ashpra.
“Epoka e Ramistëve, e Berishistëve, e Ballukistëve, e lloj-lloj njerëzve, kokëçepsha, ca palloshë të gjatë e ca bilushë të vegjël, ju ka ardhur FUNDI!” përfundoi protestuesi.
