Për shpalljen e Berishës non-grata nga Britania e Madhe ka reaguar së fundmi edhe ish-deputeti Genc Pollo, i cili shpreh se mban të njëjtin qëndrim me atë që ka mbajtur edhe më herët nga vendimi i marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Për Pollon vendimi është jo bindës dhe i pambështetur në prova individuale konkrete, është joproporcional, për shkak se në 10 vitet e fundit Berisha ka denoncuar raste të pafundme të korrupsionit dhe keqbërjes në radhët e pushtetit.

Gjithashtu, sipas tij shpallja non- grata e Berishës është “jo ndihmues për demokracinë e shtetin ligjor në respekt të rolit të opozitës demokratike”.

Pollo e ka krahasuar shpalljen non grata të Berishës me dënimin e Galileo Galileit në turrën e druve, pasi pohoi se toka rrotullohet rreth diellit.

Pra, sipas tij edhe pse Berisha ka denoncuar pafund raste korruptive, po dënohet pse ka thënë të vërteta absolute.

DEKLARATA E PLOTË
Eppur si muove!
Për përcaktimin ndalim-hyrje të Sali Berishës nga autoritetet britanike do të thosha të njëjtën gjë që kam thënë vjet për përcaktimin e tij nga Departamenti i Shtetit:

-jo bindës në rastin individual pa dhënë prova;
-jo proporcional duke konsideruar kontekstin aktual në vend;
-jo ndihmues për demokracinë e shtetin ligjor në respekt të rolit të opozitës demokratike;

Sipas shpjegimeve të bëra publike dje, rasti i v. 2008 si provë nuk është bindës për të qenë motiv për përcaktimin ndalim-hyrje. Po ashtu jo-proporcionaliteti mbetet i madh mbas dhjetë vitesh aktive në denoncimin e korrupsionit e keqbërjes në rradhët e pushtetit. Është formalisht disi më problematik për shtetin ligjor e demokracinë sepse ndryshe nga vjet shënjestron liderin zyrtar të opozitës politike (të pakapur nga pushteti); nga një pushtet të kthyer në regjim shtetkapjeje, korrupsioni të lartë dhe kriminaliteti të organizuar.

Por megjithatë vërej dy dallime:
Së pari i dërguari i posaçëm britanik teksa prezanton masat restriktive për dy-tre dyzina personash flet me gjuhën e Partisë Demokratike për votë-blerjen, lidhjet e qeverisë me krimin, korrupsionin e lartë etj. Kjo nuk është pak e me gjasë do të materializohej nëse emrat e këtyre personave do të bëheshin të njohur.

Së dyti përfaqsuesit britanikë në Tiranë kanë pasur një sjellje publike përgjithësisht serioze e profesionale. Ndryshe nga dikush tjetër ata nuk kanë lejuar instrumentalizimin e tyre nga qeveritarët për të mbuluar abuzimet qeveritare; po ashtu ata nuk janë bërë qesharakë me aventura ndikimesh brendapartiake.

Eppur si muove:)
Genc Pollo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb