TIRANË- Autoriteti i Mediave Audiovizive ka shtyrë fikjen e transmetimeve analoge për 4 muaj. Me sa duket për shkak të problemeve me të cilat janë hasur qytetarët dhe ankesat e shumta, AMA e ka parë të udhës këtë vendim.

AMA deklaron se do të rindizen sërish transmetimet analoge dhe se sinjali analog i transmetimit do të fiket më 15 janar 2019.

AMA iu ka bërë thirrje qytetarëve që të pajisen me dekodera deri më 15 janar. Ndërkohë do të vijojnë transmetimet dixhitale për ata që kanë blerë aparatin.

“Kemi vendosur ridezjen e transmetimeve analoge. Për ata që kanë blerë aparatin e ri do të vijojnë që të shikojnë transmetimet dixhitale, ndërkohë që ata që ende nuk janë pajisur u lihet katër muaj kohë për t’u pajisur me dekodera, do të shtyhet afati në 15 janar 2019. Me gjithë njoftimet prej një viti, konstatohet se shumë prej tyre e kanë lënë për një moment të fundit. Përpara se të vij data 15 janar 2019, kini parasysh se dekoderi DVB-T2 kushton 2990. Ndërsa ata persona, të cilët kanë televizor të ri të tipit DVB-T2, e kanë të inkorporuar dekoderin që do të thotë nuk kanë nevojë të blejnë një të tillë të ri”, u shpreh Kreu i AMA-s, Gentian Sala.

Ndërkaq “BalkanWeb” informon se për të ndjekur News24 në analog duhet bërë kërkim automatik.
Nga dje transmetimet analoge kaluan në ato dixhitale në dy qarqet më të mëdha të vendit, Tirana e Durrësi.

Të gjithë teleshikuesit që ndjekin transmetime televizive përmes teknologjisë analoge, duhet të pajiseshin me dekodera dixhitale tokësore të tipit DVB-T2- Universal ose duhet të kishin aparat televizori që ka të inkorporuar dekoderin e këtij tipi.

Për këtë problematikë të krijuar pati ankesa të panumërta edhe në emisionin e mëngjesit në News24.
Qytetarë të shumtë kanë telefonuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 ku janë ankuar për mbylljen e transmetimeve analoge dhe nuk i kanë kursyer akuzat ndaj kryeministrit shqiptar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb