Viktoria Plzen nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim në ndeshjen e vetë në Ligën e Europës përballë Romës por Ergys Kaçe ka treguar të gjithë vlerat e tij me një paraqitje mbresëlënëse ndaj
gjigandëve italianë. Mesfushori, i cili u transferua te ekipi çek në ditët e fundit të merkatos dhe për të cilin kjo ishte ndeshja e parë si titullar me klubin e ri, ka qenë një ndër lojtarët më të spikatur të sfidës.
I pozicionuar në qendër të mesfushës, por me detyra më shumë ofensive se sa mbrojtëse, Kaçe ka qenë një rrezik konstant për mbrojtjen italiane sa herë që kishte topin në këmbë, duke krijuar hapësira për shokët e tij, por edhe duke provuar të gjente rrugën e rrjetës me gjuajtjet nga distanca.
Mesfushori shqiptar gjuajti nga distanca që në minutën e 9-të sfidës duke vënë në provë reflekset e Alison, ndërsa më pas e përsëriti edhe një herë tjetër një gjuajtje të ngjashme në minutën e 70-të.
Me sfidën që po i drejtohej barazimit 11, pas penalltisë së Perotit në minutën e 3 dhe barazimit të Bakos vetëm 8 minuta më vonë, Kaçe në minutat e fundit u ngarkua me detyra mbrojtëse, pasi në fushë
hyri edhe legjenda e skuadrës italiane, Françesko Toti. Por mesfushori shqiptar nuk ngurroi as të sulmonte përsëri rrezikshëm dhe në minutën e 94 të takimit, lëshoi një predhë nga distanca të cilën
portieri i Romës, Alison, e devijoi mbi traversë duke i mohuar Kaçes gëzimin e golit.
Gjithsesi, edhe barazimi 11 nuk mund të cilësohet një rezultat negativ përballë skuadrës që cilësohet si superfuqia e grupit në të cilin bën pjesë Viktoria Plzen, e cila do të përballet edhe me Austrinë e
Vjenës dhe rumunët e Astra në takimet e tjera. (Panorama Sport)
(ma.ar/BalkanWeb)
