TIRANË

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe foli në një intervistë për emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për arrestimet e fundit nga SPAK për abuzime me tenderat e korrupsion, mes të cilëve ishin edhe disa zyrtarë të Partisë Socialiste, si kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i shkarkuar tashmë nga detyra, dhe zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Braçe tha se PS është distancuar nga këto raste, duke shtuar se ata duhet të përballen me ligjin si individë, ndërsa mohoi në mënyrë të prerë që të ketë pasur komunikime apo të ketë ndërhyrë te zyrtarët për tendera, raporton “BalkanWeb”.

“SPAK nuk varet nga qeveria, nga parlamenti. SPAK funksionon në bazë të ligjit dhe të atij qëllimi që ka marrë nga ligji, të godasë korrupsionin. Pra, SPAK nuk merr leje për asgjë. Ai vepron në mënyrë krejt të pavarur. Me Tushen kam pasur një marrëdhënie të pastër institucionale. Kemi qenë në fushatë elektorale. Nuk kam pasur komunikim me asnjë nga kryetarët e Bashkive të Qarkut Fier për asnjë tender, për asnjë prokurim publik, për asnjë me mbiemër Brace. Kurrë në jetën time për të imponuar tender, për të marrë përfitime, për të ndërhyrë. Denoncimi nuk është bërë pranë meje, por pranë institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, i ka shkuar SPAK direkt, nuk kishte pse të vinte tek unë. Mos prisni që të mbroj njerëz që janë vënë nën hetim nga SPAK. Gjyqe popullore partiake nuk ka më, kanë mbaruar që më 1990. Kemi investuar shumë, unë personalisht po e po, por edhe PS investoi jashtë mase që të kishim një reformë në drejtësi, ngritjen e institucioneve, që japin drejtësi, që hetojnë të pandëshkueshmit. Në fund kemi këto rezultate. Për sa kohë kemi institucione të tilla është e tepërt që unë të gjykoj secilin prej individëve, që janë nën hetim. Harrojeni se unë mund të bëj prokurorin dhe gjyqtarin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë në detyrë. Quhet Rovena Voda, Fatos Tushe, Sali Berisha apo Lulzim Basha, harrojeni se gjykoj. Unë nuk merrem me individët, as me emra, unë merrem me çështje. Për sa kohë ka çështje nën hetim të ngritur ndaj tyre, qëndrimi i PS ka qenë i qartë, përballja është individuale, jo me parti a qeveri. SPAK po bën detyrën, nuk po bën gjueti. Gjykata po bën gjykimin dhe jo gjueti”, tha Braçe.

Më tej, zv.kryeministri foli dhe për dorëheqjen e Gramoz Ruçit nga politika, duke thënë se ai la një boshllëk të madh në parlament.

“Lë një boshllëk në Parlament, sepse qoftë përvoja e tij, qoftë marrëdhëniet që ka pasur me të gjithë, normalisht që kanë krijuar një boshllëk të madh, që do duhet të zëvendësohet në shtator. Është një mungesë shumë e madhe për të gjithë ne bashkëpunëtorët e tij, sepse vazhdimisht ka qenë këshillues shumë i mirë, ka qenë një njeri i çliruar nga çdo lloj emocioni, që i jepte qetësi jo vetëm sallës së parlamentit, por edhe grupit të PS, sidomos në momente delikate që ka kaluar PS në dy opozita të vështira, në 1997 dhe 2005-2013, ku më së shumti ne kishim përballë jo kundërshtarë, por armë zjarri. Ruci është i vetmi që është përballur në sallën e gjyqit me kurthe të ngritura. Çdo gjë është vendosur në një sallë gjyqi dhe është mbaruar në një sallë gjyqi”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb