TIRANË

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në një intervistë për ‘News24’ se zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar vjen në Tiranë me sinjale të qarta.

Deklarata në fjalë i referohet vendimit të DASH për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shtoi se këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale.

Vizita e Escobar vjen dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Berisha, që do të mbahet më 11 dhjetor.

Pyetje: Pritet që në Shqipëri të vijë këtë jave i dërguari special nga SHBA, Escobar ku do te zhvilloje takim me kryeministrin Edi Rama dhe ju. Zoti Basha çfarë pritshmërish keni ju me ardhjen e zotit Escobar në ditën që do të zhvilloni ne dritën e marrëdhënieve te reja që Partia Demokratike ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Lulzim Basha: Më vjen mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendjen e tyre si çështje themelore luftën kundër korrupsionit. E kanë bërë këtë në një kontekst më të gjerë se Shqipëria, por në veçanti për Shqipërinë ka shumë rëndësi, sepse ky është dhe problemi kryesor i Shqipërisë, korrupsioni, pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, janë burimet kryesore të të keqes së shqiptarëve, të gjendjes ekonomike, të papunësisë, të mungesës së shpresës së popullsisë në tërësi dhe të rinjve dhe të rejave shqiptare në veçanti. Ndaj këto do të jenë patjetër në fokus të bisedës sime me zotin Escobar, siç kanë qenë edhe në fokus të diskutimeve të mia me partnerët Amerikanë, që kanë ardhur, ju keni parë delegacionet të senatit Amerikan, të kongresit Amerikan dhe në veçanti nisma tona siç janë reforma zgjedhore, siç është vettingu i politikanëve dhe siç është propozimi i fundit, që do të paraqesim, ai për dënimin, ashpërsimin e dënimeve sipas modelit Italian, deri në 22 vjet burg për politikanët e zgjedhur me votat e krimit, po në veçanti po kështu dhe lufta kundër korrupsionit, që po i merr frymën Shqipërisë dhe që po shkatërron mirëqenien e Shqiptarëve dhe shpresat e shqiptarëve.

Lulzim Basha: E para e punës, nuk ka 2, por ka një kuvend dhe ai është më 18 dhjetor, është kuvendi i Partisë Demokratike. Ngjarjet e tjera janë pa diskutim, zhvillime të cilat kanë rrjedhur nga shpallja non-grata e zotit Berisha dhe për këtë qëndrimet Amerikane janë të qarta. Iluzioni se këto janë qëndrime të personalizuara, me të cilin ushqen zoti Berisha disa njerëz apo mbështetës të tij, pra i keqpërdor në këtë mënyrë, ka përgjigje dhe besoj edhe vetë vizita e zotit Escobar është në këtë aspekt një tjetër sinjal i qartë që këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale. Por ne duhet ta tejkalojmë këtë, ne nuk mund të mbetemi peng i një debati të stisur për hallet personale të Sali Berishës. Detyra e Partisë Demokratike, është t’i prijë shqiptarëve në përballje me rrëgjimin. Detyra e Partisë Demokratike është të pastrojë politikën nga krimi, të dënojë autorët e masakrës zgjedhore, të afrojë një orë e më parë ditën kur shqiptarët t’i rikthehen kutive të votimit, për të zgjedhur një parlament dhe një qeveri që iu përket atyre dhe iu shërben atyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: