Në ditën e 28-të radhazi të protestave masive kundër qeverisë, eksperti i sigurisë dhe njëkohësisht protestuesi Gert Metani ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste për News24.
Metani ka bërë një skaner të situatës politike dhe sociale në vend, duke theksuar se Shqipëria vuan nga një keqqeverisje e gjatë, ku interesat e qytetarëve nuk kanë qenë kurrë prioritet për klasën udhëheqëse. Ai u shpreh se jetojmë në një vend që është keqqeverisur në 35 vite dhe nuk është parë mirëqenia e popullit si gjëja parësore për ata që kanë drejtuar këtë vend.
I pyetur për qëndrimet dhe reagimet e kryeministrit Edi Rama përballë valës së qëndrueshme të protestave qytetare, eksperti i sigurisë përdori tone të ashpra, duke deklaruar se kreu i qeverisë është drejt fundit të pushtetit të tij.
Metani deklaroi prerë se reagimet e Ramës për protestën janë qesharake dhe se ky është fundi i një diktatori. Sipas tij, manteli që hiqej se ishte një lider karizmatik ka rënë tashmë plotësisht.
Sipas Metanit, fasada e kryeministrit ka rënë tashmë edhe përpara partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë filluar të shohin realitetin e keqmenaxhimit të vendit dhe fondeve publike.
Ai përfundoi deklaratën e tij duke theksuar se edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuar dhe figura e tij reale ka dalë në pah, si një person që shpërdoron fondet dhe nuk ka fokus te gjërat e nevojshme të këtij vendi.
Ndërkohë, kryeqyteti pritet të përfshihet sërish sot nga tubimi i radhës, i cili shënon ditën e 28-të të revoltës qytetare.
