PRISHTINË- Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka pritur sot në takim një delegacion me zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë të kryesuar nga Mart Laanemae, nënsekretar për Marrëdhënie Evropiane dhe Transatlantike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë.

Gjatë këtij takimi u diskutua për axhendën evropiane të Kosovës e në mënyrë të veçantë për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët. Zëvendësministri Ilazi, fillimisht falënderoi delegacionin estonez për përkrahjen e vazhdueshme që Republika e Estonisë i ka ofruar Republikës së Kosovës si dhe vlerësoi bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve, Ilazi informoi për angazhimin e institucioneve në drejtim të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se Kosova ndodhet në një fazë vendimtare sa i përket këtij procesi pasi ka përmbushur kriteret e përcaktuara. Po ashtu, ai nënvizoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për zbatimin e MSA-së brenda afateve të përcaktuara.

Nënsekretari për Marrëdhënie Evropiane dhe Transatlantike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë, Mart Laanemae, rikonfirmoi mbështetjen e shtetit të tij ndaj axhendës evropiane të Kosovës, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët./k.press
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: