Estonia do të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë duke nisur nga 1 dhjetori, pas dyshimeve se inteligjenca ushtarake ruse (GRU) qëndron pas disa përpjekjeve për sabotim në territorin estonez.

Vendimi është bërë i ditur të dielën nga ministri i Jashtëm i Estonisë, Magnus Tsahkna. Masa vjen në një kohë kur autoritetet e vendit baltik kanë ngritur shqetësime për aktivitetet e dyshuara të shërbimeve ruse të inteligjencës dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë së Jashtme estoneze, vendimi lidhet me një sulm të dështuar me zjarrvënie ndaj kompanisë së mbrojtjes Threod Systems, e cila prodhon dronë dhe pajisje të tjera ushtarake. Sulmi u tentua më 14 nëntor, ndërsa autoritetet estoneze deklaruan se ishte organizuar me urdhër të GRU-së.

Tetë shtetas letonezë janë ndaluar nën dyshimin për përfshirje në këtë tentativë sabotimi. Sipas autoriteteve, grupi synonte të shkaktonte një shpërthim dhe t’i vinte zjarrin ambienteve të kompanisë.

Ky nuk është rasti i parë i dyshuar i këtij lloji. Në muajin gusht, një tjetër kompani estoneze e industrisë së mbrojtjes, Milrem Robotics, ishte shënjestër e një tentative zjarrvënieje, për të cilën inteligjenca estoneze ka ngritur gjithashtu dyshime për përfshirjen e GRU-së.

Estonia ka aktualisht tri pika kryesore të kalimit kufitar me Rusinë, në Narva, Luhamaa dhe Koidula. Mbyllja do të kufizojë kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Ministri Tsahkna nuk ka përcaktuar se sa do të zgjasë masa, ndërsa qeveria pritet të diskutojë nëse ajo do të jetë e përkohshme apo pa afat.

Ministri i Jashtëm estonez ka bërë të ditur se vendimi u është komunikuar edhe homologëve të tij në Finlandë, Letoni dhe Lituani, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, nga Moska nuk ka pasur ende një reagim zyrtar ndaj akuzave të Estonisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb