Një i ri i ardhur nga veriu i vendit ka marrë fjalën përpara protestuesve te Kryeministria, duke ngritur akuza të rënda historike dhe duke denoncuar mungesën e infrastrukturës si dhe gjendjen e aeroportit të Kukësit.
Në fjalën e tij, ai bëri një lidhje mes të kaluarës komuniste dhe pushtetarëve aktualë, duke kujtuar varjen e poetit Havzi Nela.
“Vij nga krahina e Lumës që sot e quajtën Kukës! I dhanë një emër tjetër sepse krahina e Lumës ka lindur burra trima. Etërit e këtyre që jetojnë në atë krahinë përdorën litarin për poetin Havzi Nela! A meritojnë këta të jenë në pushtet e të na tregojnë litarin! Poshtë komunizmi dhe këta që nuk kanë ndryshuar asgjë nga ajo kohë!” u shpreh i riu.
Më tej, ai u ndal te premtimet e mbajtura për rrugët në zonën e tij dhe te situata aktuale e aeroportit, duke akuzuar për vjedhje të projektit.
“1 km rrugë është premtuar në zonën time për 35 vite, nuk është bërë kurrë! Turp! Vetëm 5 minuta nga shtëpia ku jetojnë prindërit e mi me mua sepse nuk i kam braktisur, është aeroporti i Kukësit që i vendosën një emër, ‘Flatrat e Veriut’. Është vjedhur dhe sot është kthyer në park fotovoltaik, asnjë avion nuk ulet në Kukës!” përfundoi ai mes protestuesve.
