Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga eurodeputetët për protestat në Shqipëri, duke deklaruar se Brukseli është në dijeni të kërkesave të qytetarëve që kanë dalë në rrugë.

Gjatë diskutimeve në Parlamentin Evropian, Kos bëri dallimin mes protestuesve që i cilësoi si të dhunshëm dhe atyre që kanë nisur protestat me kërkesa dhe objektiva të qarta. Ajo theksoi se procesi i integrimit evropian është ndërtuar për të ndihmuar vendet kandidate të ecin përpara, por kjo nuk mund të ndodhë pa përmbushjen e kapitujve dhe reformave të kërkuara.

Komisionerja u ndal veçanërisht te kapitulli i mjedisit, të cilin e cilësoi ndër më të vështirët për Shqipërinë në këtë fazë të negociatave. Ajo theksoi se qeveria shqiptare duhet të ndryshojë disa prej amendamenteve dhe ligjin për investimet strategjike.

Sipas Kos, këto janë pikërisht disa nga çështjet që kanë ngritur edhe protestuesit në Shqipëri, të cilat janë evidentuar nga Komisioni Evropian.

Ajo nënvizoi se Brukseli pret dialog mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë, duke theksuar se dialogu është një element thelbësor i procesit të integrimit evropian, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera kandidate.

Në përfundim, komisionerja kujtoi se Bashkimi Evropian ka mekanizma për të vlerësuar dhe reaguar kur një vend kandidat nuk po ecën në drejtimin e duhur në përmbushjen e detyrimeve të procesit të anëtarësimit.

Marta Kos: “Ne e dimë se çfarë kërkojnë protestuesit. Ka dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre që kanë nisur të protestojnë me qëllime të qarta.

Procesi është ndërtuar në mënyrë që vendi të ecë përpara. Vendi nuk mund të ecë përpara nëse nuk përmbush kapitujt. Kapitulli për mjedisin është ndër më të vështirët në Shqipëri aktualisht.

Qeveria duhet të ndryshojë disa nga amendamentet dhe ligjin për investimet strategjike. Kjo është pikërisht ajo që kërkojnë protestuesit dhe ne e kemi shënuar këtë.

Ne presim dialog mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë, sepse mbi këtë bazohet edhe procesi i integrimit. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera.

Nëse një vend është në procesin e integrimit, ne kemi disa mënyra për të vlerësuar nëse ai nuk po ecën në drejtimin e duhur.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb